Hoti: Vetëm njohja reciproke midis Kosovës dhe Serbisë normalizon marrëdhëniet e dy vendeve

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se vetëm njohja reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë, i normalizon marrëdhëniet në mes të dy vendeve.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti shkruan se njohja reciproke është tema e vetme që diskutohet, pa cenuar integritetin territorial të Kosovës.

Hoti u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë në Kosovë që të përfshihen në këtë proces për të arritur një qëndrim të përbashkët.

Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen më 4 shtator në Uashington.

Postimi i kryeministrit Hoti në Facebook

Vetëm njohja reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë i normalizon marrëdhëniet në mes të dy vendeve dhe e qetëson këtë pjesë të Ballkanit dhe Evropës.

Në çfarëdo takimi që kam pasur dhe do të kem me përfaqësuesit e Serbisë, njohja reciproke është tema e vetme. Çdo gjë që bisedohet me ta është në funksion të arritjes së marrëveshjes për njohje reciproke, pa cenuar integritetin teritorial apo karakterin unitar të shtetit të Kosovës.

Kosova mbetet e përkushtuar për dialog, sepse është vend evropian, me orientim të qartë euro-atlantik.

Nisur nga kjo qartësi e plotë e procesit, unë nuk do të hezitoj të dialogojmë.

Prandaj, i ftoj forcat politike në Kosovës, pozitë dhe opozitë, të jemi të unifikuar në këtë proces. Gara politike në mes nesh, që duhet të jetë demokratike dhe mbi baza të kushtetutës, mund dhe duhet të zhvillohet për tema të tjera të politikës, ekonomisë, arsimit, shëndetësisë dhe fushave të tjera.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka paralajmëruar se pret negociata të vështira dhe befasi nga ky takim.