Varaku: Sulmi ndaj Ora dhe Ora News mafioz, akte të tilla do të intensifikohen nga shtatori
Sulmi politik ndaj televizioneve Ora dhe Ora News ka tërhequr vëmendjen e Komisionit Europian.
Zëdhënësja e këtij institucioni të rëndësishëm, Ana Pisonero, deklaron se liria e mediave është një nga shtyllat e çdo demokracie.
Por kjo nuk ka qenë deklarata e vetme e lëshuar sot.
Edhe Organizata ndërkombëtare “Reporterët pa Kufij” i ka dalë në krah grupit radioteleviziv “Ora”, duke evidentuar nën rrezik linjën kritike redaksionale dhe pavarësinë e gazetarëve tani që dy televizionet janë në administrim të posaçëm shtetëror.
Analisti, Redi Varaku, thotë se institucionet ndërkombëtare janë shumë të ndjeshme kur preket fjala e lirë dhe liria e shprehjes.
Varaku: Të gjitha institucionet ndërkombëtare janë shumë të ndjeshme kur preket fjala e lirë, liria e shprehjes. Mendoj se do të ketë dhe reagime të tjera sepse është një situatë shumë e rrezikshme aq më tepër kur jemi 8-9 muaj para zgjedhjeve.
Në studion e RTV Ora, ai thotë se sulmi politik vetëm pak muaj para zgjedhjeve ishte një mesazh mafioz.
Varaku: Është qartazi një mesazh mafioz, aq më tepër kur ka një histori përplasje mes dy televizioneve me qeverinë. Është mesazh mafioz se kërkon ti paralizojë çdo lloj reagimi në lidhje me situatën që do të vijë dhe do të acarohet meqë jemi dhe në prag të zgjedhjeve. Është një paralajmërim tipik mafioz që i shkon çdo qytetari dhe i thotë se ne sot kemi në dorë të të asgjesojmë në të gjitha kuptimet, edhe atë fizik.
Praninë e RENEA-s në ambjentet e televizioneve e sheh pjesë të këtij mesazhi.
Varaku: Është pjesë e mesazhit mafioz, që ne do të asgjesojmë me forcë dhe dhunë çdo zë kundër kësaj qeverie. Jam i sigurt që është marrë nga shumica e njerëzve të rëndësishëm të këtij vendi, se është një akt i pastër ku shteti kapërcen të gjitha detyrimet ligjore dhe burokratike për të arritur në një konkluzion.
Parashikimet nuk i ka aspak optimiste dhe thotë se situata do të tensionohet duke filluar nga vjeshta dhe deri ditën e zgjedhjeve parlamentare.
Varaku: Mesazhi është i frikshëm dhe unë në shtator dhe deri në kryerjen e zgjedhjeve parashikoj akte të tilla me intensitet shumë më të lartë.
Po çfarë problemi ka Rama me mediat?
Varaku: Një nga gjërat që urrejnë njerëzit me natyrë arrogante dhe autokrate është e vërteta dhe fjala e lirë. Atë e irriton thjesht ideja që mund të dalë dhe të deklarojë me guxim të vërtetën. Kjo për të është e padurueshme, prandaj vjen me armë dhe polici.
Intervista në studio me gazetaren Beti Njuma, përgatiti për online Besjana Kuçana