Meta dekreton 'Gjeneral Major' Bajram Begaj si Shef të Shtabit të Përgjithshëm të FA

Presidenti i Republikës Ilir Meta dekretoi sot emërimin e Gjeneral Major Bajram Rushit Begaj, Shef të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Gjeneral Major Bajram Begaj mbante detyrën e Komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.

Më 3 korrik Meta e gradoi me titullin Gjeneral major, komandantin Bajram Begajn.

Njoftim i Institucionit të Presidentit të Republikës

29 korrik 2020

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta dekretoi sot emërimin e Gjeneral Major Bajram Rushit Begaj, Shef të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Gjeneral Major Bajram Begaj mbante detyrën e Komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.

Kush është Bajram Begaj?

Gjeneral Major Bajram Begaj, ka lindur në datë 20.03.1967, në Rrogozhinë. Ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Degën Mjekësi e Përgjithshme në vitin 1989 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin ‘Mjekësi” në vitin 1998. Ai gjithashtu ka përfunduar 'Doktoraturën në Fushën e Mjekësisë', ndërsa mban edhe titullin 'Profesor i Asociuar' në Mjekësi.

Gjatë karrierës 31 vjeçare ushtarake ka kryer: Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen;  Shkollën e thelluar pasuniversitare të mjekësisë, Specializimin Pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji,  Kursin e menaxhimit spitalor dhe Kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe Kursin e specializimit në fushën e mjekësisë dhe Kursin e Shëndetësisë, në Greqi.

Gjeneral Major Begaj mbante postin e Komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Forcat e Armatosura, ndërkohë që në 31 vitet e karrierës në Forcat e Armatosura ka mbajtur një sërë detyrash mes të cilave: Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe Zëvendësdrejtor Ushtarak i SUT, Drejtor i Spitalit Ushtarak, Drejtor i Inspektoratit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm Ushtarak Qendror Universitar etj.