Kriza e emigrantëve, vijojnë operacionet e shpëtimit, por edhe vdekjet

Roja bregdetare italiane vijon operacionet e shpëtimit në mesdhe teksa organizatat jo qeveritare kanë paralajmëruar se gjatë javës që lamë pas 700 persona kanë humbur jetën në tentativë për të mbërritur në brigjet evropiane.Shumica e klandestinëve udhëtojnë me anije prej druri apo gomone, teksa drejtuesit e këtyre mjeteve thuajse në të gjitha rastet janë pa përvojën e duhur.Sakaq Fotoja e një fëmije të mbytur, refugjatit më të vogël, në duart e një ushtari gjerman është shndërruar në sensacionit në mediat ndërkombëtare dhe në rrjetet sociale.Zëdhënësi i organizatës humanitare pranë OKB-së tha menjëherë pas publikimit të fotos se ky fëmijë dhe kjo foto flet qartë për politikat e Evropës për emigrantët.Fëmija i mitur, i cili nuk është më shumë se 1 vjeç dhe është ende i paidentifikuar, është nxjerrë nga deti nga organizata Sea Watch që vëzhgon ujërat në Mesdhe, pas mbytjes së pak ditëve më parë të një varke me emigrantë, nisur nga brigjet libiane. 45 trupa të pajetë kanë mbërritur tashmë në portin jugor të Italisë, në Reggio Calabria në bordin e anijes italiane ushtarake, e cila arriti që nga i njëjti incident, të shpëtojë 135 refugjatë.Njësoj si fotoja e vogëlushit 3 vjeçar Aylan që humbi jetën një vit më parë në bregdetin turk, imazhet e vogëlushit disa muajsh janë dëshmi rrëqethëse e më shumë se 8 mijë njerëzve që kanë humbur jetën në ujërat e Mesdheut që nga fillimi i vitit 2014, kur nisi edhe vala e refugjatëve.Vetëm të shtunën e kaluar, roja bregdetare italiane shpëtoi më shumë se 660 emigrantë në katër operacione të veçanta. 322 ishin të vendosur në një barkë druri, ku një pjesë e mirë e tyre ishin gra dhe fëmijë.Emigrantët janë nga Afrika e Veriut, Eritrea, Nigeria, Sudani etj. Sipas ministrisë së Brendshme italiane, numri i të ardhurve, të paktën atyre që janë numëruar shkon në rreth 50 mijë, 2 për qind më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.Italia po përballet me një situatë të parashikuar në fakt, pasi rritja e numrit të emigrantëve ka ardhur si pasoje e rritjes së temperaturave. Por një ndikim pati edhe marrëveshja mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë, mbyllja e rrugës ballkanike dhe kontrollet e vazhdueshme në detin Egje./Ora News/