Manjani “shuplakë” prokurorëve: Janë dembelë, çështjet e korrupsionit ulëritëse

Sistemi i drejtësisë ka krijuar prokurorë dembelë që po lënë të flenë dosje të forta korrupsioni. Është ky shqetësimi që ngre Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, të cilin e shoqëron me kërkesën për prokurorë proaktivë. Gjatë prezantimit të raportit vjetor mbi inspektimet në Prokuroritë e vendit, Manjani tha se Prokuroria e Përgjithshme vetëm në 1 rast ka pranuar rekomandimet e Ministrisë së tij, por kjo nuk shkakton ngërç institucional mes dy organeve.Ministria e Drejtësisë ngre alarmin për pasivitetin e organeve të hetimit në vend, që rezultojnë me lënien në sirtar të dosjeve ulëritëse, siç janë dosjet e korrupsionit.Është vetë Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili pas një inspektimi në 8 prokurori të shkallës së parë, që konkludon se prokurorët shqiptarë janë dembelë, duke sugjeruar për prokurori proaktive që pritet të jetë produkt i një reforme të thellë.Manjani:“Një prokuror dembel i krijuar në sistem dhe që nuk i shërben fare rolit proaktiv në gjykim. Ndërkohë kemi çështje të cilat janë ulëritëse, në mënyrë ulëritëse kërkojnë një prokuror aktiv”.Ministri Manjani raportoi në Komisionin e Ligjeve mbi inspektimi në organin e prokurorisë për periudhën mars 2015-mars 2016, ku i pyetur nga deputeti Pandeli Majko, pranoi se Prokuroria e Përgjithshme ka refuzuar në shumicën e rasteve t'i përgjigjet pozitivisht rekomandimeve të Ministrisë për masa deri në proçedim disiplinor ndaj prokurorëve.Majko: “Ka një lloj çudie. Ne po diskutojmë raportin më të rëndësishëm që ka të bëjë me marrëdhëniet e Ministrisë së Drejtësisë me Prokurorinë e Përgjithshme. Ju në çdo 3-4 fletë na thoni që nuk ka reagim nga Prokurori i Përgjithshëm dhe normalisht atëherë i gjithë raporti ka një pikpyetje të madhe. Kush është statusi i marrëdhënieve të Ministrisë së Drejtësisë me Prokurorin e Përgjithshëm edhe për këtë raport që ju na keni depozituar”.Manjani:  “Është e saktë sepse reflekton diçka që ka ndodhur. Nëse më pyesni mua nëse  ka një ngërç në marrëdhënien Prokuror i Përgjithshëm- Ministër i Drejtësisë, të them të drejtën nuk e kam parë në këtë pjesë. Mund ta pyesni Prokurorin e Përgjithshëm  kur të vijë këtu, jua thotë ai se si e ka patur hallin për këtë pjesë”.Ministria ka kontrolluar 32 prokurorë, nga të cilët janë konstatuar 24 shkelje prej tyre.Ministria e Drejtësisë ka kërkuar procedim disiplinor për 12 prej tyre, por Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar vetëm për 1 rast, që i referohet shfuqizimit të vendimeve të konstatuara me shkelje në Prokuroritë Elbasan dhe Korçë.