Lejoi kalimin e furgonit me 2 ton e 90 kg domate kontrabandë, arrestohet doganieri
Policia e Tropojës ka vënë në pranga një doganier në pikën kufitare të Qafë-Morinës me akuzën e shpërdorimit të detyrës.Sipas bluve Jeton Markaj, 26 vjeç, banues në fshatin Tetaj, me arsim të lartë dhe me detyrë doganier në P.K.K. Qafë-Morinë ka lejuar kalimin e mallrave kontrabandë.Duke qenë në detyrë, ai nuk ka kryer veprimet doganore ndaj mjetit me targa AA 065 EI në pronësi të shtetasit Nertil Riza, i cili ishte i ngarkuar me një sasi prej 2 ton e 90 kg domate kontrabandë.Policia arrestoi gjithashtu edhe poseduesit e mallit kontrabandë, Shyqiri Hoxhën 27 vjeç banues në fshatin Paqe dhe Nertil Rizën 25 vjeç, banues në fshatin Luzhë.“Në aksin rrugor Tropojë-B.Curri, në automjetin tip “Furgon”, me targa AA 065 EI, me drejtues shtetasin Nertil Riza, kishin të ngarkuar 2 ton e 90 kg domate, pa faturë dhe të pa zhdoganuara”.Ndërkohë ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë, për shtetasin B.L, 28 vjeç, banues në fshatin Dushaj, pasi dyshohet si bashkëpunëtor me shtetasit e lartë përmendur.Materialet për veprime të mëtejshme do ti referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësorë Tropojë.