Emigrantët konsiderojnë vijimin e rrugës përmes Shqipërisë
Emigrantët e bllokuar në kufirin greko-maqedonas po konsiderojnë idenë e vijimit të rrugëtimit të tyre përmes Shqipërisë. Azil-kërkuesit thonë se marrëveshja e arritur mes qeverisë së Ankarasë dhe BE-së për t'i kthyer ata në Turqi nuk respekton të drejtat dhe liritë e tyre për të zgjedhur vetë shtetin se ku duan të kërkojnë azil. Në bazë të akordit të arritur procesi i kthimit do të nisë brenda ditës së dielë. Ndërkohë, autoritetet turke kanë nisur operacionet për bllokimin e kalimit të azil-kërkuesve nëpërmjet detit Egje. Vetëm gjatë orëve të fundit ata kanë arrestuar 16 trafikantë dhe kanë bllokuar afro 1.800 azil-kërkues.Në kushtet kur Bashkimi Europian dhe qeveria e Ankarasë kanë rënë dakord për kthimin e emigrantëve në Turqi, azil-kërkuesit e bllokuar në kufirin greko-maqedonas po konsiderojnë idenë e vijimit të rrugëtimit të tyre përmes Shqipërisë.Emigrantët thonë se akordi i arritur mes palëve nuk repsekton të drejtën e tyre për të zgjedhur lirisht vendin se ku duan të kërkojnë azil. Ata nënvizojnë se nuk kanë ku të kthehen pas sepse i kanë sakrifikuar të gjitha për një të ardhme më të mirë."Asnjë prej emigrantëve që ndodhen këtu nuk duan të largohen. Edhe nëse do të na duhet që të paguajmë trafikantë, ne do të kërkojmë rrugët të tjera, sic mund të jetë rruga përmes Shqipërisë. Askush nuk do të kthehet pas. Njerëzit kanë shitur shtëpitë dhe makinat për t'a përfunduar këtë udhëtim."Ndërkohë, rojat bregetare turke kanë nisur operacionet për mbrojtjen e kufijve ashtu sikurse parashikohet në marrëveshjen e arritur me liderët e Bashkimit Europian. Vetëm gjatë orëve të fundit, ata kanë arrestuar 16 trafikantë dhe kanë bllokuar afro 1.700 emigrantë gjatë përpjekjeve të tyre për të kaluar detin Egje. Procesi i kthimit pas të emigrantëve në Turqi do të nisë gjatë ditës së dielë, por mbetet të shihet nëse azil-kërkuesit do t'a pranojnë një gjë të tillë. Qeveria e Turqisë do rishpërndajë një emigrant sirian në vendet anëtare të Bashkimit Europian për çdo azilkërkues që do të kthehet pas./Oranews.tv/