Mbillen 200 selvi tek Liqeni, Veliaj: Në prill aksioni për prishjen e mbi 100 ndërtimeve pa leje

Parkut të Liqenit i janë shtuar edhe 200 pemë të tjera të llojit selvi, që janë mundësuar nga Bashkia e Tiranës dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane.Pemët u mbollën në rrugën hyrëse të Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës, në zonën e Fakultetit Gjeologjik, e cila do të emërtohet edhe si “Rruga e 1000 Selvive”, ashtu si ka hyrë në memorien kolektive të Kryeqytetit për shkak të mbizotërimit të kësaj peme aty.Në mbjelljen e pemëve të selvisë morën pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, si dhe kreu i Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, Blendi Gonxhe.Veliaj: Me këtë donacion, numri i pemëve të mbjella në Parkun e Liqenit shkon në 3 mijë, nga 7 mijë që kemi mbjellë gjithsej në këto 7 muaj në gjithë qytetin e Tiranës. Në fund të ditës, secili prej nesh gjykohet nga veprat dhe jo nga fjalët. Unë besoj se ashtu si secili në detyrën e tij gjykohet nga veprat, ashtu edhe puna jonë do të gjykohet nga sa pemë realisht kemi mbjellë dhe jo sa shumë kemi bërtitur për natyrën.Ndaj, për ta mbrojtur këtë park, ai njoftoi se Bashkia e Tiranës ka vendosur të mbyllë të gjitha hyrjet për mjetet motorike, përfshirë edhe hyrjen pranë fakultetit të Histori-Filologjisë.Veliaj:Më duket e paarsyeshme që në 4 vitet e fundit kanë lulëzuar më shumë kafet, parkingjet, lavazhet dhe të gjitha hapësirat e zëna në mënyrë të paligjshme, se sa këndet e lojërave për fëmijë apo hapësirat për të mbjellë pemë dhe drurë në Parkun e Liqenit.Ai deklaroi se shumë shpejt do të nisë një aksion për prishjen e të gjitha objekteve të aktivitetit privat pa leje në park.Veliaj: Gjatë muajit prill Bashkia e Tiranës do të fillojë aksionin për prishjen e mbi 100 ndërtesave pa leje, të palegalizuara, të pahipotekuara, të cilat kanë zaptuar liqenin. Pas kësaj do të vendosim edhe kufizime shumë të rrepta për të larguar gjithë lavazhet dhe gjithë parkingjet që kanë ngrënë copa të liqenit.