Meta: Shqipëria të kontribuojë sipas mundësive për refugjatët, anashkalon deklaratën e Majkos
Pas zhvillimeve të fundit në fqinjin tonë jugor, ku dhjetra-mijëra emigrantë kanë mbetur të bllokuar pas mbylljes së kufijve të shteteve europiane dhe Maqedonisë si dhe pas paralajmërimeve që vinë nga zyrtarët e lartë europianë se rruga e shpëtimit mund të jetë Shqipëria, kreu i Kuvendit Ilir Meta përsërit qëndrimin e tij se Shqipëria do të ndihmojë aq sa ia mundësojnë kapacitetet e saj.Meta: Mendoj se zgjidhja kryesore lidhur me krizën e refugjatëve nuk është thjesht përballimi dhe pasojat e krizës, por është përqendrimi i BE-së, i SHBA-ve dhe i aktorëve të tjerë të rëndësishëm, për t’i dhënë fund konfliktit në Siri dhe vatrave të konfliktit edhe në zona të tjera, nga ku kemi aktualisht burimin e krizës, por edhe burimin e refugjatëve që duan t’i largohen luftës.Përsa i takon përballimit të kësaj krize, sigurisht që Shqipëria si një vend demokratik por edhe si pjesë e komunitetit euro-atlantik dhe atij europian në ndarjen e vlerave, jam i bindur do të japë kontributin e saj për aq sa i ka mundësitë dhe kapacitetet e saj.Meta foli nga Gjirokastra, ku anashkaloi qëndrimin e një prej zyrtarëve të lartë të PS-së, Pandeli Majko, i cili të shtunën tha se do ti përcjellë Kongresit kërkesën për zgjedhje të parakohshme në rast se nuk miratohet reforma në drejtësi.Meta: Jam i bindur se reforma do të miratohet për arsye se të gjitha forcat politike kanë shprehur vullnetin për përmbushjen e reformës. Së dyti të gjithë kanë rënë dakord që standardet evropiane të kësaj reforme i përcakton Komisioni i Venecias, i gjithëpranuar nga të gjithë dhe ky komision ka folur mjaft qartë për të gjitha çështjet ndaj të cilave janë kërkuar sqarime, interpretim, opinione, apo vlerësime.Padyshim që jam i sigurt se përveç vullnetit të përbashkët të gjithë forcave politike për të interpretuar këto rekomandime në mënyrë objektive dhe të paanshme, pra jashtë interesave të ngushta partiake, kam theksuar që për çështje ku do të ketë dallime të caktuara, ne përsëri kemi fatin që kemi EURALIUS-in, misionin e BE-së dhe OPDAT-in, atë të SHBA-ve, të cilët kanë kontribuuar që nga fillimi në asistimin e kësaj reforme dhe mund të jenë përsëri dy misione të cilat përbëjnë përsëri referencën e përbashkët dhe konsensuale për ato çështje ku ende ka disa lexime të ndryshme.Por Komisioni i Venecias mendoj se i ka zvogëluar jashtëzakonisht dallimet dhe diferencat kështu që ka vend për optimizëm natyrisht të përmbajtur, por mbi të gjitha për përgjegjshmëri dhe konstruktivitet për të arritur një tekst përfundimtar të dakordësuar për ndryshimet kushtetuese përpara se Komisioneri për Zgjerimin, z. Hahn të vijë në Tiranë në fund të këtij muaji.Kryeparlamentari Ilir Meta iu bashkua në Gjirokastër të rinjve të LRI-së, në festimet e Ditës së Verës.