Vetëvendosje rrëzon kamionin me mallra: Hegjemonia e Serbisë është e papranueshme

Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë rrëzuar një kamion me produkte serbe, veprim që e kanë bërë edhe më herët. Sipas deklaratës së Lëvizjes, hegjemonia e Serbisë është e papranueshme.“E vetmja e ardhme për të cilën do të punojmë e do të angazhohemi, është ajo e paqes me drejtësi e barazi mes vendeve. Është e papranueshme për ne që Serbia vazhdon të mos e njohë Kosovën, si dhe të fshehë apo të mohojë krimet gjenocidale që ka bërë këtu, në vend që të kërkojë falje e të dëmshpërblejë viktimat. Kjo Serbi që punon aktivisht kundër Kosovës, nuk mund t'i ketë dyert e hapura për prodhimet e saj. Për të patur reciprocitet tregtar është i domosdoshëm në radhë të parë reciprociteti politik", thuhet në reagim.Kjo parti paralajmëron se aksione të tilla do të vazhdojnë derisa qeveria e Serbisë të ndryshojë qëndrim ndaj Kosovës.“Dëshirojmë të bëjmë me dije se gjatë aksionit, si dhe gjatë çdo aksioni tjetër të mëparshëm, aktivistët janë kujdesur në maksimum që drejtuesi i mjetit dhe asnjë pasagjer të mos lëndohen fizikisht e të mos frikësohen. Ne nuk kemi asgjë kundër qytetarëve të cilësdo etni, apo të cilitdo vend”, thuhet më tej./Ora News/