Tusk vizitë zyrtare në Athinë: BE-ja nuk do ta lërë vetëm Greqinë
Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, ka nisur një tur me vizita zyrtare në prag të samitit urgjent të emigrantëve që do të mbahet më datë 7 Mars në Bruksel, me praninë e Turqisë. Ai është takuar gjatë mëngjesit të sotëm me Kryeministrin e Greqisë, Aleksis Tsipras, me të cilin ka diskutuar rreth situatës së vështirë që po kalon vendi sa i përket menaxhimit të krizës së azil-kërkuesve. Në konferencën e mbajtur për shtyp ai theksoi vendosmërinë e BE-së për të ruajtur zonën Schengen, mbështetjen e unionit për Greqinë si dhe nëvojën e implementimit të marrëveshjes së furmosur me Turqinë. "Sapo e kam parë me sytë e mi dhe më duhet të them se situata e emigrantëve në rrugën e Ballkanit perëndimor është vërtet dramatike. Duhet të veprojmë me vendosmëri për të sjellë ndryshime, pasi kemi të bëjmë më një krizë të komplikuar dhe komplekse. Shumë persona janë të bllokuar në Greqi, ndërkohë që mijëra të tjerë vijnë cdo ditë nga Turqia. Është shumë e rëndësishme që marrëveshja e firmosur me Ankaranë të implementohet. Dua gjithashtu t'a bëj të qartë se Bashkimi Europian nuk do t'a lërë asnjëherë Greqinë vetëm."Tusk do të udhëtojë edhe drejt Turqisë, ku do të takojë Kryeministrin Ahmet Davutoglu, si dhe Presidentin e vendit, Rexhep Taip Erdgoan. Qëllimi i vizitave të tij ka qënë parapërgatitja për samitin e 7 Marsit, gjatë së cilit, liderët e BE-së do të përpiqen që të gjejnë një linjë të përbashkët për të ndalur krizën. Më herët ai ka zhvilluar takime në Austri, Sloveni, Kroaci dhe Maqedoni, ku është takuar me krerët respektivë të shteteve të sipërpërmendura.Ndërkohë, mijera refugjatë vijojnë të mbeten të bllokuar në kufirin greko-maqedonas, teksa zyrtarët e organizatave humanitare bëjnë me dije se rezervat ushqimore dhe medikamentet janë drejt fundit. Azil-kërkuesit zhvilluan edhe një protestë gjatë orëve të fundit, teksa bllokuan edhe linjën hekurudhore që lidh dy vendet.