Pazaret për zgjedhjen e Thaçit President, Deputeti: Më ofruan ministri!
Zgjedhja e Hashim Thaçit në krye të Shtetit të Kosovës duket se nuk ka kaluar pa pazare. Deputeti i pavarur Gëzim Kelmendi ka deklaruar se i është ofruar edhe post ministri që të ishte i pranishëm në sallë për të krijuar kuorumin e nevojshëm në ditën e votimit.Kjo sipas tij ka ndodhur në një takim me Thaçin dy ditë para mbajtjes së votimit.“Takimet e para për të më bindur për të qëndruar në sallë, kanë filluar para tri javëve, por takimet e fundit kanë qenë dy ditë para zgjedhjes së presidentit. Takimin e fundit e kisha me presidentin tashmë të zgjedhur, Hashim Thaçi. Nga unë është kërkuar të qëndroj në sallë, me ç’rast plotësimi i kësaj kërkese do të rezultonte më marrëveshje politike. Marrëveshja politike ka përfshirë që të jem pjesë e koalicionit qeverisës, për të drejtuar ministri, por që edhe të jemi pjesë e diplomacisë. Nuk kam mundur të shkelë mbi fjalën e dhënë”, ka thënë deputeti Kelmendi në emisionin “Info-Box” në Rtv Dukagjini.