Shkencëtarët zbulojnë thembrën e Akilit tek sëmundja e kancerit
Disa shkencëtarë britanikë pretendojnë se kanë zbuluar një mënyrë të re për të luftuar sëmundjen e kancerit. Ata thonë se me anë të gjetjes së tyre, sistemi imunitar mund të orientohet për të luftuar qelizat kancerogjene. Zbulimi vjen nga kërkuesit e universitetit të Londrës, të cilët thonë se kanë evidentuar thembrën e Akilit tek sëmundja e kancerit. Megjithatë, në bazë të raportimeve paraprake thuhet se ky trajtim mund të jetë shumë i shtrenjtë dhe se nuk është testuar ende tek pacientët. Nga ana tjetër, ekspertët deklaruan se ideja e prezantuar nga kërkuesit e universitetit të Londrës bën sens dhe ka një linjë logjike, por shtuan se zbatimi i saj në praktikë mund të jetë disi i komplikuar. Gjithësesi, antarët e skuadrës që kreu zbulimin thonë se janë optimist për gjetjen e tyre dhe se shpresojnë që të formojnë një bazë të re trajtimi për të sëmurët me kancer. Ata thonë se ideja e tyre mund të testohet brenda dy viteve dhe se kura mund të jetë efektive. Në bazë të këtij studimi, kërkuesit pretendojnë se duke analizuar ADN-në, mund të bëjnë një kurë të personalizuar për cdo pacient. Vaksinat e krijuara në terma të përgjithshëm më herët kanë dështuar sepse qelizat kanceroze nuk përbëhen nga qeliza identike. Ato kanë mutacione të ndryshme si dhe shumë dallime mes njëra tjetrës.