Ambasada e Kuvajtit në Tiranë pritje me rastin e ditës së Pavarësisë dhe Çlirimit
Shteti i Kuvajtit celebron përvjetorin e 25 të çlirimit dhe 55-vjetorin e Ditës Kombëtare.Me këtë rast, ambasada e Kuvajtit në Shqipëri, ka organizuar një pritje të veçantë, ku merrnin pjesë personalitete të larta, Zv/kryeministri Niko Peleshi, ministra, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ish-kryeministri Sali Berisha si dhe përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, konsuj nderi dhe figura të tjera të njohura.Fayez Mishari Al-Jassim, Ambasador i Kuvajtit në Tiranë: “Jam shumë i gëzuar t’ju mirëpres të gjithëve sot, duke ju shprehur mirënjohjen time të thellë për pjesëmarrjen tuaj në festimet e 55 Vjetorit të Ditës së Pavarësisë dhe 25 Vjetorit të Ditës së Çlirimit të Shtetit të Kuvajtit, si dhe Përvjetorin e 10-të në drejtimin e Shtetit të Kuvajtit të Lartësisë së Tij, Sheikh Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah. Festimi ynë sot është një përkujtim i historisë së mbushur me lavdi dhe sakrifica, të cilat ne i gëzojmë sot, si mirëqenie, prosperitet, siguri dhe stabilitet”.Ambasadori tha se Shteti i Kuvajtit ka raporte të forta historike me Shqipërinë, të cilat kanë filluar me rënien e regjimit komunist në fillimet e viteve 90. Ai kujtoi se vendi ynë ka qenë ndër të parët që ka mbështetur fuqishëm të drejtën e Kuvajtit në vitin 1990.Por mbështetja ekonomike që i ka dhënë Kuvajti Shqipërisë, zë një vend të rëndësishem në forcimin e raporteve dy palëshe. Një nga projektet më të rëndësishem të transportit, ai i rrugës bregdetare të Vlorës, që është kredituar pikërisht nga Fondi Kuvajtian.Fayez Mishari Al-Jassim, Ambasador i Kuvajtit në Tiranë: “Marrëdhëniet Kuvajt-Shqipëri janë karakterizuar nga qëndrueshmëria në të gjitha nivelet dhe është një model i suksesshëm i marrëdhënieve miqësore midis dy shteteve të vogla. Në konfirmim të kësaj, do të dëshiroja të theksoja miratimin e Fondit Kuvajtian për Zhvillim Ekonomik Arab për lëvrimin e një kredie të butë në vlerë 41 milion $ amerikan për rehabilitimin e rrugës bregdetare të Vlorës, në jug të Republikës së Shqipërisë, që konsiderohet si një ndër projektet më jetikë në sektorin e rrugëve dhe transportit, duke arritur në total vlerën e 116 milion $ të dhënë nga Fondi Kuvajtian”.Fondit Kuvajtian për Zhvillimin Ekonomik Arab është i pranishëm që prej vitit 1993 në vendin tonë dhe mbështet projekte të rëndësishme në sektorë kyç si transporti dhe bujqësia, apo rrjeti i ujitjes, ndërkohë që ndihmat e ofruara nga organizatat humanitare kuvajtiane në Republikën e Shqipërisë kanë tejkaluar vlerën e 60 milionë eurove.Në historikun e themelimit si shtet i pavaruar, Kuvajti celebron dy data të rëndësishme, atë të shkëputjes nga Britania e Madhe në 1961, si dhe çlirimin nga ushtria pushtuese e diktatorit irakian, Sadam Hussein./Oranews.tv/