Shpërthim në Kabul, 10 të vdekur dhe 20 të plagosur

Të paktën dhjetë persona kanë humbur jetën pas shpërthimit kamikaz që ka tronditur kryeqytetin e Afganistanit, Kabulin. Si pasojë e sulmit që erdhi nga një militant i talebanëve, 20 persona të tjerë janë plagosur dhe po marrin trajtimin e nevojshëm shëndetsor në qëndrat spitalore. Mjekët janë shprehur se bilanci i viktimave mund të rritet pasi disa prej pacientëve kanë marrë plagë të rënda dhe janë në rrezik për jetën. Dëshmitarët u shprehën se u ndjenë të shokuar nga ajo që panë dhe lajmëruan menjëherë autoritetet. "Dëgjova një shpërthim dhe pashë trupat e viktimave. Lajmëruam menjëherë ambulancën dhe ata mbërritën për të shoqëruar të plagosurit në spital. Vetëm kaq më kujtohet", thotë ky dëshmitar i cili u gjend shumë pranë vendit ku ndodhi incidenti tragjik. Shpërthimet kamikaze kanë qenë mjaft të shpeshta gjatë muajve të fundit në shumë prej qyteteve të Afganistanit. Gjatë javës së shkuar, Kabuli u trondit nga një tjetër sulm, në të cilin humbën jetën edhe shtatë gazetarë të një televizioni privat. Shumica e shpërthimeve janë marrë përsipër nga militantët talebanë të cilët kundërshtojnë ashpër qeverinë e cila mbështetet nga vendet perëndimore.