​Maqedoni,Gruevski nesër në SHBA, eurodeputetët në Shkup

Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski nesër do të udhëtojë për në Uashington, ku sipas paralajmërimeve do të takohet me zëendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Byden.Siç qe paralajmëruar më herët në Shkup, thellimi i raporteve, reformat në Maqedoni dhe proceset demokratike, rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe raportet tregtare si dhe integrimi i vendit në BE dhe NATO, pritet të jenë temë diskutimi mes kryeministrit Gruevski dhe Bajden.Po nesër, kur Gruevski do të udhëtojë në SHBA, në Shkup pritet të arrijnë euro- deputetët Richard Howitt, Eduard Kukan dhe Ivo Vajgl, të cilët do të kenë takime të ndara me nënshkruesit e marrëveshjes politike mes partive më të mëdha të vendit.Zëdhënësja e Komisionit Evropian Maja Kocijancic dje konfirmoi se euro- komisari Johannes Hahn do të vizitojë Maqedoninë nga mesi i janarit, që të diskutoj rreth zbatimit të marrëveshjes në fjalë, të njohur si Marrëveshja e Përzhinos.Vizita e paralajmëruar e Gruevskit në SHBA vjen në kohë kur kalojnë afatet kur ai duhet të japë dorëheqje dhe të zgjidhet qeveria kalimtare deri në zgjedhjet e 24 prillit.Ndërkohë, opozita maqedonase, me në krye liderin e Lidhjes Socialdemokrate Zoran Zaev, ka paralajmëruar se mund të kërkojë shtyrjen e zgjedhjeve edhe për disa muaj, për shkak të mosplotësimit të kushteve që ato të jenë fer dhe demokratike.