Kur buxheti votohet duke “mbyllur hundët”

Ishte i ashpër deputeti socialist Ben Blushi me projekt-buxhetin e sjellë nga qeveria për vitin 2016 në Kuvend. Blushi tha se problemi i qeverisë nuk është mungesa e parave, por mungesa e ideve dhe e modestisë dhe se kjo qeveri tashmë i ka harruar të varfrit.*Titulli redaksional*Fjala e plotë e Blushit në Kuvend:Në këtë Parlament shumica kanë interpretimet e tyre për sloganin më të freskët të partisë sime, “Të pastrojmë Shqipërinë”.Disa mendojnë se Shqipëria duhet pastruar nga gjyqtarët e korruptuar, disa mendojnë se duhet pastruar nga kriminelët në këtë Kuvend, disa mendojnë se duhet pastruar nga të paaftët, disa të tjerë mendojnë se duhet pastruar nga pesha e atyre që nuk janë dakord me mënyrën si po qeveriset vendi.Mua më pëlqen që në një kuptim të gjitha palët po merren me pastrim. Është më mirë se të merren me ndotje, siç ka ndodhur edhe dje, edhe sot.Fshesat duhet të taksohen më pak se plehrat në Shqipëri, siç besoj edhe ky buxhet e pranon.Kjo betejë interpretimesh, se çfarë duhet pastruar, vazhdon dhe do të vazhdojë, me sa duket, e prandaj edhe unë kam të drejtë të kem interpretimin tim.Nga çfarë po e pastrojmë Shqipërinë?Unë besoj se në dy vjet qeverisje ne po e pastrojmë Shqipërinë nga të varfrit.Ndoshta pa qëllim, por me shumë sukses.Po ua bëjmë jetën atyre shumë më të vështirë dhe pothuajse po i zhveshim nga shpresa.Ja t’ju pyes për të gjithë ju që nuk jeni dakord me mua.A është jeta e një të varfri sot më e lirë?A e ka ai më të lehtë të gjejë një punë?A e ka më të lehtë të paguajë energjinë që është rritur për të varfrit?A përfiton më shumë asistencë sociale?A i është rritur paga minimale?A është më e lirë kostoja e shëndetit?A është më e lirë kostoja e arsimit?A paguan ai më pak borxh që qeveria e merr në emër të tij?A i janë shtuar atij më shumë rrugë për transport ditor?A është kostoja e qeverisë më e lirë dhe si përfundim, ai paguan më pak për të mbajtur administratën që i shërben?A është ai i detyruar të shkojë në emigracion deri në masën 100 mijë në vit, çka është më shumë se të gjitha vendet e punës që qeveria pretendon se ka zbardhur?A paguan i varfri më pak ryshfet?A është drejtësia më e lirë dhe më e ndershme?A e ka më të lehtë një i varfër të fillojë punë në administratë, nëse nuk kthehet në komisioner të njërës prej partive tona?Unë them se jo. Në përgjithësi besoj se jeta e një të varfri sot është më e vështirë se ç’mund ta kishim imagjinuar.Në këtë kuptim, nuk hezitoj aspak të them se ne i kemi tradhtuar të varfrit.Kjo qeveri është shumë pak modeste për t’i përfaqësuar. Prandaj them se të varfërve të këtij vendi u është shtuar edhe një kosto shtesë, të cilën ata nuk e prisnin, kur votuan para dy vitesh:Kjo është kostoja e mungesës së modestisë. Qeveria flet për të varfrit sikur ata të ishin eskimezë që largohen nga temperaturat e ulëta apo sikur të ishin sirianë që largohen nga luksi i luftës.Qeveria nuk tregon asnjë mëshirë për të varfrit.Kryeministri thotë se të varfrit nuk po ikin nga Shqipëria në Gjermani, por ikin nga Greqia në Gjermani? Po mirë këta çfarë janë? A kanë ikur nga Shqipëria në Greqi dhe pastaj në Gjermani ata?Dikush tjetër këto ditë guxoi t’i fyente edhe më shumë kur tha se Shqipëria ka shumë vende të gatshme pune, por njerëzit nuk duan të punojnë sepse ose janë dembelë, ose janë të papërgatitur për tregun tonë të punës.Unë them se kjo është fyerje që e shton koston e mungesës së modestisë.Bota ka pasur shumë dështime në luftën e saj me varfërinë, por arma kryesore e çdo qeverie ka qenë modestia. Apo njerëzillëku. Edhe sot këtu nuk u fol kundër varfërisë, por kundër atyre që thonë se varfëria është një kërcënim real që po e zbraz Shqipërinë.Unë jam njëri prej tyre. Nuk jam opozitar, por mendoj se vendi nuk po shkon në drejtimin e duhur, se pesimizmi po shtohet, se tregjet po tremben dhe se pabarazia po zgjerohet, se rinia po plaket nga papunësia dhe pleqëria po kthehet në torturë nga varfëria.Unë them se nuk janë paratë ato që i mungojnë më shumë kësaj qeverie: asaj i mungojnë të paktën dy gjëra më të vyera se paratë: e para, idetë dhe, e dyta, modestia.Për ta kuptuar se çfarë është modestia, po ju tregoj rastin e Presidentit sindikalist Lula të Brazilit.Kur Lula erdhi në pushtet, ai bëri një qeveri me djem dhe vajza braziliane të shkolluara kryesisht në Europë. Një pjesë e tyre e rritur nga familje të mira dhe të kamura nuk e njihnin siç duhej Brazilin. Atëherë Lula vendosi t’u shpjegojë vendin. I mori dhe i çoi për një muaj nëpër të gjitha periferitë e varfra të vendit të vet.E dini çfarë ndodhi? Një pjesë e ministrave të tij nisën të qanin, kur panë me sy varfërinë. Ne nuk e njihnim Brazilin, thanë shumica e tyre.Jam i bindur se një pjesë prej nesh do të kishin qarë, nëse do të shkonin në kampet e emigrantëve tanë në Gjermani, megjithëse nuk jam i sigurt për të gjithë.Kjo pyetje është përballë qeverisë sonë sot? Nuk po pyes nëse qeveria ka aftësinë për të qarë, por po pyes:A e njeh qeveria varfërinë?A e di ç’do të thotë të jetosh me 400 lekë në ditë? A e di se 400 mijë njerëz në Shqipëri jetojnë me afro 50 dollarë në muaj? A e di ç’do të thotë të mos kesh mundësi të paguash shkollën e fëmijëve? A e di qeveria se çfarë poshtërimi është ai që trashëgohet përmes varfërisë nga brezi në brez, nga babai te biri? A e di çfarë mendon një i varfër kur sheh se në këtë Parlament dikush ka vendosur të fusë vetëm të pasurit, pra ata që nuk i përfaqësojnë dot të varfrit?Unë kam përshtypjen që qeveria nuk e di. Kjo nuk është për të qarë, por nuk është as për të qeshur.Kur them këto, jam i bindur se kjo qeveri ka humbur sensin e detyrës. Ajo ka humbur në pyllin e premtimeve të veta dhe nuk po e gjen dot daljen.Qeveria prodhon shumë shifra, por nuk prodhon dot progres.Ekonomia e Shqipërisë është në ditët e veta më të vështira. Vitin e kaluar u tha se rritja ekonomike do të ishte 2.5 për qind. E dini sa ishte? 1.89. Këtë vit pretenduan se rritja do të jetë 3 për qind. E dini sa mund të jetë? Më pak se 2.5 për qind. Pyetja ime sot është, çfarë ka ndryshuar në Shqipëri? A ka ndryshuar modeli ekonomik?A administrohet vendi, ndryshe nga ajo që kishim deri në vitin 2013?Unë kam dëshirë ta besoj, por e kam vështirë ta vërtetoj. Kapitalizmi që kishim deri në vitin 2013, ishte një kapitalizëm zoologjik. Kjo do të thotë se kafsha më e fortë fitonte më shumë dhe, natyrisht, ferma e kapitalizmit të tyre kishte një bari, që sot flet gjithë ditën për grigjën tonë.Ai i fuste kafshët në konkurrencë dhe më i forti fitonte më shumë. Këtë xhungël, shqiptarët e hoqën qafe me votë. Por çfarë kapitalizmi kemi ne sot në Shqipëri? Është ai më human seç duhej të ishte? Është më njerëzor? Është më modest? Është më inteligjent? Është më inovativ? A është më optimist? A është më parashikues? A është më i drejtë? A është më pak represiv? Unë them se jo! Kapitalizmi që kemi sot, natyrisht nuk është zoologjik, por ai është blegtoral. Nuk fiton kafsha më e fortë, por fiton delja më e bindur. Kapitalizmi ynë nuk kafshon, por blegërin.Dhe kjo nuk është një blegërimë naimiane, pra romantike, por është një blegërimë mjerimi. Është migjeniane. Dikush thotë se kapitalizmi ynë, pra iniciativa jonë për të qeverisur më mirë, pengohet nga numrat në këtë parlament. Qeverisë i rrinë ngushtë numrat, megjithëse ato nuk e kanë penguar kurrë deri më sot të kryejë një reformë. Pra, duhet të shpëtojmë nga numrat që kemi dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Ndoshta, nuk do të ishte keq. Do t’u kishim dhënë një mundësi të varfërve të këtij vendi të na peshonin se sa vlejmë. Por unë u them atyre që e kanë këtë shpresë të mos e ushqejnë kot…Një njeri që nuk bën zgjedhje në parti, a mund të bëjë zgjedhje të parakohshme? Është qesharake të mendosh se do ta ketë këtë guxim. Sidoqoftë, po flisnim për të varfrit. Por nuk janë vetëm ata që janë tradhtuar. Buxheti nuk bëhet për shifra, bëhet për njerëz. Kush janë ata që përfitojnë nga ky buxhet? Të pasurit? Jo! Të varfrit? Aspak! Të mesmit? Shumë më pak…Nuk e di kush në këtë qeveri ushqen kaq shumë mëri edhe me shtresën e mesme të Shqipërisë. Këta janë njerëzit që taksohen më shumë. E dini, besoj se një njeri i diplomuar, që fiton mbi 1 milion lekë të vjetër, taksohet për çdo lekë mbi këtë shumë 23 për qind, ndërsa pronari i tij, që fiton 1 milion euro, taksohet 15 për qind.A është kjo e drejtë? Sigurisht që jo! Shtresës së mesme, ky buxhet ia rriti pagesën e sigurimeve shoqërore me 5-fish. Pra, të gjithë profesionistët e lirë të vendit do të paguajnë disa herë më shumë sigurime shoqërore, çka nuk ka asnjë kuptim dhe nuk asnjë llogari financiare, përveç faktit që dikush ka menduar të balancojë buxhetin mbi kurrizin e atyre që kanë mësuar më shumë. E kam thënë dhe e përsëris, kjo qeveri takson më shumë mendjen se dhjamin.E di që do të më kundërshtojnë. Unë vetë kam mbrojtur parimin e taksës progresive dhe e mbroj ende. Por taksa progresive nuk është aplikuar as mbi fitimin, as mbi qarkullimin, por vetëm mbi punën. Taksa mbi fitimin sot, nuk është progresive. Pra, si të fitosh 1 milion lekë, si të fitosh 1 milion euro, tatohesh njëlloj: 15 për qind. Kjo është taksë e sheshtë dhe jo progresive.Dhe ky buxhet nuk e ndryshon. Ai nuk e zbut për disa dhe nuk e ndreq për disa të tjerë. Taksat mbi qarkullimin janë po ato. Të gjitha të sheshta. Nuk ka diferencim siç u tha për energjinë, për ushqimet dhe arsimin.Prandaj, them se gjërat nuk kanë ndryshuar. Ishim me taksa të sheshta, jemi me taksa të sheshta. Dhe në vend që të taksojmë fitimin, taksojmë punën. Kjo është diferenca. Dua të them dy fjalë edhe për koncesionet. Unë nuk jam kundër koncesioneve.Por çështja është se çfarë bën një qeveri e majtë, si e delegon ajo pushtetin e vet? Kjo që po ndodh, mendoj se është një ekzagjerim. Është tendenca për të lëshuar gjithçka. Për fat të keq, koncesionet në Shqipëri kanë dështuar. Shumica e tyre nuk kanë pasur efekt dhe nuk kanë ulur kostot për shqiptarët dhe korrupsionin.Koncesion do të thotë që shteti t’i japë privatit sektorë apo shërbime, të cilat nuk i mban dot, apo nuk i investon dot vetë. Por ajo që po ndodh, është se koncesionet po shtohen. Ato po kthehen në modë. Nevoja për t’ia lënë privatit detyrimet e shtetit po kthehet në rrezik. Shpenzimet e të varfërve po rriten.Shërbimet po bëhen më të shtrenjta. Dhe ajo që nuk duket asgjëkund, është kufiri i parimit të koncesionit.Ku mbaron ky kufi?Unë mendoj se qeveria duhet të përcaktojë çfarë jepet dhe çfarë nuk jepet me koncesion. Unë do të thosha se shërbimet duhet të mbeten kryesisht publike, ndërsa disa investime të mëdha si rrugë, ura, parqe industriale, porte apo aeroporte, për të cilat qeveria s’ka mundësi t’i bëjë, mund të jepen me koncesion. Ky mund të ishte një kufi i arsyeshëm. Por nëse vazhdojmë në këtë rrugë, mund të shkohet shumë larg? Ushtria është një shërbim.A mund të jepet ushtria me koncesion? Ka kosto shumë të lartë dhe nuk është shumë rentabël, mund të thotë dikush.T’ia japim me koncesion një kompanie, apo një shteti neutral?A mund të jepet diplomacia me koncesion? Në fund të fundit, a mund të jepet gjithë qeveria me koncesion? Sigurisht që jo! Kujt ia delegojmë pushtetin kur votojmë? Qeverisë apo privatëve? Kujt duhet t’i kërkojmë llogari, administratës publike apo një administrator privat, i cili sheh vetëm fitimet e veta dhe nuk i jep kujt llogari? Ndoshta ka ardhur koha ta mendojmë seriozisht. Paaftësia e qeverisë duhet dhënë me koncesion, por qeveria jo. Duke e mbyllur, dua të them se ky buxhet është një akt rutine.Ai sjell pak apo aspak ide ekonomike.Ai është kaotik, konfuz,cinik, jolucid dhe e vetmja gjë që përpiqet të bëjë, është të kufizojë borxhin që ka marrë para një viti. Kjo është shumë pak. Ky nuk është një buxhet zhvillimi, por është një buxhet korrektimi.Qeveria ka vendosur të korrektojë veten, duke kufizuar deficitin. Kjo është për t’u inkurajuar, por është sërish e pamjaftueshme. Qeveria nuk duhet të korrektojë vetëm dështimet e veta, por duhet të korrektojë parimet e veta. Natyrisht që unë do ta votoj, sepse më mirë një buxhet i dobët, sesa pa buxhet.Por, në këtë rast, do të citoja Indro Montanelin, të cilit i duhej të votonte vazhdimisht për të djathtën e kalbur italiane.Ai thoshte:Do ta votoj, por duke mbyllur hundët.