Opozita: Qytetarët dje i anuluan marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi
Partitë opozitare kanë falënderuar sonte të gjithë qytetarët të cilët dolën dje për t'i mbështetur ata, si në protesta ashtu edhe pas eskalimit të situatës, duke thënë se me prezencën e tyre është dëshmuar se marrëveshjet me Serbinë e Malin e Zi kanë vdekur.Këtë ata e thanë në një konference të përbashkët për media, duke shtuar se veprimet e djeshme të Policisë së Kosovës janë në kundërshtim me demokracinë."Marrëveshjet tashmë janë anuluar nga qytetarët e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Kosovës e ka të pamundur t’i ngjallë ato. Dhe kjo gjë është një fitore e madhe për Republikën e Kosovës", tha Lideri i Vetëvendosjes Visar Ymeri.Sipas kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinajt, "dje në Prishtinë ka ndodhur një ngjarje jo e mirë dhe jo e drejtë, ku janë sulmuar zyrat e punës, gjë e cila është e paparë ndonjëherë”.“Kushdo që e pranon një akt të tillë e ka gabim dhe tregon se e pranon shtypjen. Para kësaj ka ndodhur diçka e mirë ku ka pasur dhjetëra mijëra qytetarë me një porosi se marrëveshjet nuk kalojnë. Opozita është e bashkuar dhe këto ngjarjet e mbrëmshme na bindin se këto marrëveshjet kanë vdekur”, tha Haradinaj.Lideri i Nismës për Kosovën Fatmir Limaj i falënderoi qytetarët që “me prezencën e tyre treguan që kanë vdekur këto marrëveshje”.“Me veprimet e djeshme pushteti e heqi maskën dhe e tregoi vetën që është shtet policor duke shtypur qytetarët që mendojnë ndryshe dhe duke sulmuar zyrat e VV-së”, tha Limaj.Se çfarë do të ndodhë nesër në Seancën plenare opozita tha që do të lajmërojnë publikun nesër paradite, ndërsa paraprakisht paralajmëruan se do të pengojnë mbajtjen e saj.