"Zhbllokohet" Rruga e Arbrit, kryeministri Edi Rama finalizon marrëveshjen në Pekin

Finalizohet në Kinë marrëveshja për nisjen e punimeve në një segment të Rrugës së Arbrit nga një kompani kineze e cila kishte mbetur peng e kërkesës për më shumë fonde nga Banka Botërore. Kjo u konfirmuar gjatë vizitës së Kryeministrit në Kinë dhe pjesmarrjes në Samitin Ekonomik Kinë-Europa Qendrore dhe Lindore. Kreu i Qeverisë shqiptare ka njoftuar edhe arritjen e disa marrëveshjeve të tjera te rëndësishme siç është ajo për ndërtimin e Korridorit të Kaltër. Raportohet të jetë diskutuar edhe për investimet kineze në zonat e lira ekonomike.Nga Kina kryeministri, Edi Rama, njoftoi finalizimin e marrëveshjes me kompaninë kineze "China State Construction"për vijimin e punimeve në Rrugën e Arbrit.Kompania kineze ka fituar të drejtën e ndërtimit të 26.94 kilometrave në Rrugën e Arbërit nga 65 km që është gjithsej.Pavarësisht se marrëveshja me kompaninë kineze është miratuar në parlament diskutimet ishin bllokuar për shkak të kërkesës së kompanisë drejtuar Bankës Botërore për rishikim të fondeve si pasojë e terrenit të vështirë.Por marrëveshja e arritur në Kinë i jep fund këtij ngërçi. Kostoja e këtij segmenti vlerësohet rreth 36 miliard lekë.Një tjetër marrëveshje e rëndësishme e arritur me Kinën është edhe ndërtimi i Korridorit të Kaltër.Në këtë marrëveshje do të përfshihen në vijim edhe Bosnja e Kroacia si palë të interesuara për projektin.Pjesë e diskutimeve ka qenë edhe pjesmarrja e sa më shumë kompanive kineze në projektin e zonës së Lirë Ekonomike të Spitallës.Përtej këtyre projekteve të cilat janë drejt finalizimit, kryeministri kinez Li Keqiang shprehu interes për infrastrukturën portuale në Shqipëri si dhe sektorin e bujqësisë, sidomos sa i përket importit të produkteve shqiptare e posaçërisht vajit të ullirit.Në kuadër të Samitit Ekonomik Kinë-Europa Qendrore dhe Lindore, kryeministri Edi Rama mori pjesë edhe në takimin që Presidenti i Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping zhvilloi me kryetarët e qeverive të vendeve pjesëmarrëse në Samit.