Elbasan, përkujtohet genocidi ndaj çamëve

Muaji qershor është muaji i dhimbjes së madhe çame. Data 27 njihet si Dita e Genocidit grek ndaj popullsisë çame në 1944. Në kuadër të kësaj date në Elbasan janë organizuar disa aktivitete. Pasi janë vendosur kurora me lule në memorialin "Klithma", Kreu i shoqates "Çamëria" Ardian Tana, në 71 vjetorin e masakrës, kërkoi edhe një herë nga politika shqiptare zgjidhjen e çështjes çame si një çështje kombëtare.Kreu i Shoqatës "Çamëria" Ardian Tana: 27 qershori i vitit 1944 shënon fillimin e spastrimit etnik mbi shqiptarët e Çamërisë prej bandave të shovinizmit grek të udhëhequr nga Napoleon Zerva. Gjatë këtij spastrimi etnik u vranë 2900 shqiptarë të Çamërisë. U shpërngulën dhjetra mijëra të tjerë, 2400 prej të cilëve vdiqën rrugës prej urisë, sëmundjeve të ndryshme dhe të ftohtit. Pas 71 vjetësh, qeveria greke, institucionet e shteti grek duhet minimalisht të kërkojnë falje për krimet që kanë kryer dhe duhet të hedhin hapa konkrete për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Ndërkohë që edhe institucionet e shtetit shqiptar do duhet më me vendosmëri të kërkojnë zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe bërjen e kësaj çështjeje pjesë e tryezës së bisedimeve 2-palëshe”.Tërheqja e ushtrive osmane nga Ballkani u bë zanafilla e viteve plot dhimbje të popullsisë çame të cilët u masakruan e u dëbuan nga fashistët grekë. Çështja çame ose siç njihej dikur si minoriteti shqiptar në Greqi, lindi që me vendimin e Konferencës së Londrës, më 1913, e cila e shkëputi këtë trevë shqiptare dhe ia aneksoi Greqisë.