Pusteci, Bashkia ku jeton minoriteti maqedonas

Pusteci, zona ku jeton minoriteti maqedonas në rrethin e Korçës ndodhet brenda parkut Kombëtar të Prespës. Dikur njihej si Liqenasi, ndërsa sot si Bashkia e Pustecit. Pjesë e saj janë 9 fshatra me afro 4500 banorë.Banorët ruajnë lidhje të forta me Maqedoninë. Simbolet, parullat e gjithçka tjetër në zonë është në gjuhën maqedonase. Në të gjithë zonën jeton vetëm një familje me kombësi shqiptare e cila gati gati ndjehet e huaj në shtëpinë e saj.Shumica e banorëve në këtë zonë janë të moshuar, pasi më të rinjtë kanë emigruar, ose janë larguar per tu arsimuar jashtë Shqipërisë.Komuniteti maqedonas në zgjedhjet vendore të 21 qershorit, për të tretën herë radhazi votoi kryebashkiakun Edmond Themelko, i cili shpjegon arsyen e aleancës me partitë që dalin fituese në zgjedhjet e përgjithshme.“Në Bashkinë e Pustecit, votë vendimtare është vota e Partisë Aleanca Maqedonase për Integrim Europian. Aty ku bën koalicion partia jonë, ai koalicion del fitues. Në 2013 ne ishim në koalicion me Partinë Demokratike dhe kemi marrë të njëtin rezultat që kemi sot që jemi në koalicion me të majtët. Është mëse e domosdoshme që ne të jemi pjesë e qeverisë sepse nuk mund të presim nga opozita të na ndihmojë ose të na financojë projektet që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të komunitetit maqedonas në Shqipëri dhe konkretisht në Bashkinë e Pustecit. Prioritet kryesor gjithnjë ka qenë zhvillimi i turizmit, por nuk mund të kemi një turizëm të qëndrueshëm nëse nuk kemi një infrastrukturë bashkëkohore. Problem kryesor i komunitetit maqedonas në Shqipëri është përdorimi i gjuhës maqedonase pavarësisht se ligji i arsimit lejon mësimin e gjuhës maqedonase në masën 60 %, por këtë e lejon vetëm në bashkinë e Pustecit.”Duke u ndjerë krenarë për origjinën dhe autoktonë në vendin ku jetojnë, banorët kërkojnë përmirësim të infrastrukturës dhe arsimimin e fëmijëve në gjuhën maqedonase, pasi shpjegojnë se lidhjet e gjakut, ato kulturore dhe tregrate me Maqedoninë janë tepër të forta.Në Pustec natyra është treguar bujare, por infrastruktura për një zonë që kërkon të ecë përmes turizmit është krejtësisht e papërshtatshme. Maqedonasit e zonës se Prespës duan të integrohen, dhe pasi kanë siguruar prej vitesh mbështetjen nga Shkupi, tani vështrimi i tyre është kthyer nga Tirana.