Merkel: Pa marrëveshje, Samiti per Greqinë është i pavlerë!
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka paralajmëruar se duhet të ketë një marrëveshje mes Greqisë dhe kreditorëve para samitit të liderëve të BE-së të hënën, përndryshe ai nuk do të ketë ndonjë vlerë, duke rritur në këtë mënyrë presionin ndaj qeverisë helene, kur kanë mbetur dhjetë ditë nga përfundimi i programit të shpëtimit dhe afatit të parashikuar për shlyerjen e detyrimeve ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar."Keni dëgjuar që të hënën do të ketë samit të krerëve të qeverive, por dua të jem e qartë për sa i përket pritshmërive: samiti mund të quhet i tillë vetëm nëse ka vendime të marra. Dhe ato i marrin institucionet dhe jo ne".Por marrëveshja që kërkon Merkel ka pak gjasa të arrihet brenda fundjavës, ndërsa Greqia vazhdon të vuajë tërheqjet masive të kapitalit.Vetëm këtë javë janë tërhequr nga depozitat 4.2 miliard euro, 1 miliard vetëm të premten, ndërsa Banka Qendrore Europiane miratoi fonde të tjera emergjence për bankat greke.Pavarësisht se është ndoshta në pozitën më të vështirë që prej marrjes së postit të kryeministrit në muajin janar, Aleksis Tsipras nuk duket se do të thyhet dhe të bëjë lëshimet që kërkojnë kreditorët për të lëshuar fondet.Kjo, edhe për faktin se pas nënshkrimit të memorandumit me Rusinë për shtrirjen e gazsjellësit Turkish Stream në territorin e saj, priten financime nga Vladimir Putin."Jemi mes një stuhie të madhe, por ne jemi popull detar dhe dimë si t'i shpëtojmë stuhive detare. Nuk kemi frikë të eksplorojmë detrat për të arritur në porte të sigurtë"Përtej retorikës dhe ndihmës që Moska ka premtuar nëse do t'i kërkohet zyrtarisht, nëse Greqia nuk shlyen 1.6 miliardët ndaj FMN-së në fund të muajit, dalja nga Eurozona është e pashmangshme, dhe rrjedhimisht edhe dalja nga Bashkimi Europian.