Alergjitë dhe virozat, shtim të rasteve në Fier, mjekët: Nuk kryhet testi i alergjisë
Stina e pranverës po shoqërohet me fluks pacientësh të prekur nga virozat dhe alergjitë e stinës. Mes pacientëve janë fëmijë e të rritur, të cilët shfaqin temperaturë e të vjella në rastet e virozave, ndërsa alergjitë shfaqen në forma të ndryshme, deri në astëm.Luhatjet deri në ekstrem të temperaturave përgjatë stinës së pranverës po shoqërohen me komplikacione shëndetësore.Në sallën e urgjencës së spitalit paraqiten fëmijë e të rritur, sikundër edhe ambulancat e lagjeve janë të mbushura gjatë gjithë ditës. Mjekët nuk e klasifikojnë si situatë alarmante, ndonëse pranojnë se ka fluks.Besnik Filaj, mjek , Shef i shërbimit të urgjencës, Fier: “Është periudha e virozave të ndryshme që paraqiten në repartin e urgjencës, shoqërohen me temperaturë, të vjella apo episode diareike.”Pranvera mund të klasifikohet ndryshe edhe si stina e alergjive, duke gjetur shkaktarë që nga polenat e luleve, insektet, substanca kimike si detergjentët, deri te kafshët shtëpiake.Greta Gjini , mjeke alergologe: “Muajt prill dhe maj kanë atë që ne e quajmë "piku". Zakonisht simptomat me të cilat fillon alergjia mund të jenë simptona që prekin rrugët e sipërme të frymëmarrjes, pra me tështimë, rrjedhje hundësh, kruarje sysh, me kruarje të lehtë të qiellzës, me bllokim të veshëve, me lotim. Ka individë që paraqiten me simptoma të tjera që mund të prekin rrugët e frymëmarrjes më poshtë, në mushkëri, me kollë, me vështirësi të theksuar në frymëmarrje, në formën e një astme, por në poliklinikën tonë të specialiteteve testi i alergjisë nuk kryhet.Testi për alergjinë kryhet vetëm në QSUT.