Venezuelë, Chavez vuan ende nga problemi respirator
Presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez, ende vuan nga disa probleme respiratore, pas rikthimit të tij nga Kuba, ku iu nënshtrua një operacioni kundër kancerit dhe ku qëndroi një kohë të konsiderueshme për trajtim.Ministri i Informacionit, Ernesto Villegas, tha se Chavez vazhdon të marrë mjekime në një spital ushtarak në Caracas.Kjo është komunikata e parë zyrtare në lidhje me shëndetin e presidentit, që prej rikthimit të tij në Venezuelë, të hënën. Chavez u operua në Havana më 11 dhjetor të vitit të kaluar.Ky ishte operacioni i katërt në një periudhë kohore prej 18 muajsh kundër kancerit, që iu diagnostikua fillimisht nga mesi i vitit 2011.Thuhet se ai ka vuajtur nga një infeksion i rëndë respirator pas operacionit të fundit. “Pamjaftueshmëria për të marrë frymë, që iu shfaq në fazën post-operacionale vazhdon ende, teksa tendenca nuk ka qenë favorizuese, kështu që ai mbetet ende nën kujdesin mjekësor”, tha Villegas në një deklaratë televizive.Presidenti Chavez, në këtë post prej 14 vitesh, u rizgjodh për një tjetër mandat 6-vjeçar në tetor të vitit 2012, por betimi i tij u shty për një afat të mëvonshëm, për shkak të sëmundjes së tij.Mbeten ende dyshime, nëse shëndeti i tij do ta lejojë të rikthehet në aktivitete politike.