Brennan mbron fort avionet pa pilot: Sulmet, në përputhje me ligjet federale
Kandidati i Presidentit Barak Obama për postin e drejtorit të CIA-s ka mbrojtur me forcë avionet pa pilot. "Sulmet me avionë pa pilot janë ndërmarrë në përputhje me ligjet federale" tha John Brennan gjatë një seance konfirmimi të Komisionit të Senatit për Zbulimin.Brennan, i cili aktualisht është këshilltar i Presidentit për anti- terrorizmin, po merret në pyetje pak ditë pas daljes në publik të një memorandumi ku justifikohen arsyet për sulmet me avionë pa pilot kundër shtetasve amerikanë jashtë vendit, që dyshohen për terrorizëm.Në dëshminë e tij në seancën e konfirmimit, kandidati për postin e drejtorit të CIA-s, John Brennan mbrojti programin e sulmeve me avionë pa pilot."Ne ndërmarrim veprime të tilla vetëm si masë të fundit për të shpëtuar jetën e njerëzve, kur nuk ka alternativë tjetër për veprime që do të neutralizonin kërcënimin"tha ai.Por debati u ndërpre nga protestuesit që dënonin vrasjen e civilëve të pafajshëm gjatë sulmeve me avionë pa pilot.Brennan tha se publiku amerikan është keqinformuar për këto lloj sulmesh dhe shtoi se CIA preferon t'i kapë të gjallë terroristët. Për sa i përket trajtimit të të ndaluarve, ai theksoi se taktika e simulimit me mbytje është e papranueshme.Avionët amerikanë pa pilot kanë vrarë disa të dyshuar si terroristë në vende të tjera, duke përfshirë shtetasin amerikan Anwar al-Awlaki. Sipas ekspertëve avionët pa pilot janë mjete asgjësimi me kosto të ulët, por përdorimi i tyre ka koston e vet, ato nxisin ndjenja anti-amerikane tek vendasit.Nëse konfirmohet, zoti Brennan do t'i zerë vendin si drejtor i CIA-s gjeneralit David Petreas, i cili dha dorëheqjen për shkak të publikimit të marrëdhënieve të tij jashtëmartesore.