SHBA e shqetësuar me zhvillimet në Azerbajxhan

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Baku dhe organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, kanë shprehur shqetësimin për arrestimin e dy liderëve të opozitës në Azerbajxhan.Tofiq Yaqublu dhe Ilqar Mammadov janë arrestuar të hënën, nën akuzat se kanë organizuar protesta të dhunshme.Akuzat lidhen me protestat masive në qytetin Ismailli, rreth 150 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit Baku, të cilat janë zhvilluar më 23 janar.Yaqublu dhe Mammadov akuzohen se u kanë bërë thirrje për mosbindje civile.Jonas Stewart, zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së, i ka thënë shërbimit azerbajxhanas të Radios Evropa e Lirë se Uashingtoni nxit Qeverinë në Baku që të zbatojë procesin e duhur ligjor.Human Rights Watch ka shfaqur shqetësimin se Qeveria e Azerbajxhanit do të përdorë dhunën e muajit të kaluar si pretekst ndaj dy kritikëve të hapur të saj.