Izrael, gjithçka gati për zgjedhjet e përgjithshme

Izraelitët po përgatiten për të shkuar në votime për zgjedhjet e përgjithshme, që priten të rikthejnë kryeministrin në detyrë, Benjamin Netanyahu, në zyrën e tij.Sa i përket fushatës në Jeruzalem, Netanyahu tha se zgjedhja ishte mes palëve se cili do të udhëhiqte “drejt një Izraeli të përçarë e të dobët, apo një Izraeli të bashkuar e të fortë”.Analistët thonë se Netanyahu pritet të formojë një koalicion të ri të krahut të djathtë. Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, proçesi i paqes mes Izraelit dhe Palestinës nuk ka qenë i theksuar në axhendat e fushatave të partive kryesore.Cështje sociale dhe ekonomike janë kthyer në probleme kyçe për votuesit në prag të votimeve.Sipas rezultateve të sondazheve të fundit, lista e partisë së Netanyahu-t, Likud-Yisrael Beitenu, do të fitojë rreth 32 vende, më pak se zgjedhjet e kaluara, por të mjaftueshme për të formuar mazhorancën me partitë e tjera të krahut të djathtë.Blloku i djathtë pritet t’i japë Netanyahu-t mbështetje për rreth 63 vende nga 120, që ka parlamenti “Knesset”.Netanyahu shpalli zgjedhje të parakohshme tetorin e kaluar, pasi koalicioni i tij dështoi të arrinte një marrëveshje për buxhetin vjetor. Partia e tij ka kryesuar vazhdimisht sondazhet, por kohët e fundit ka humbur disi mbështetje, kundrejt partisë së re ultra-nacionaliste, Bayit Yehudi (shtëpia e hebrejve).Duke folur në daljen e fundit të fushatës së tij, Netanyahu tha se kishte besim në arritjen e mbështetjes maksimale në momentet e fundit. “Nuk kam dyshime se shumë njerëz do të vendosin në minutën e fundit për të votuar për Likud-Yisrael Beitenu. E ndiej këtë. Madje, në minutën e fundit i bëj apel të gjithë qytetarëve të shkojnë e të votojnë, por: para se ta bëjnë, të vendosin se për kë të votojnë. Për një Izrael të ndarë dhe të dobët, apo për një Izrael të bashkuar e të fortë dhe një parti me qeverisje të gjerë?”.