Obama dhe Romney përballen në debatin e dytë presidencial

Presidenti amerikan Barack Obama dhe kundërshtari i tij republikan Mitt Romney zhvilluan mbrëmë debatin e dytë presidencial në Universitetin Hofstra të New Yorkut. Ndaj dy kandidatëve u drejtuan pyetje nga votues të pavendosur se për kë do të votojnë.Presidenti Obama i tha kundërshtarit republikan Mitt Romney se plani i tij për mbajtur shkurtimin e taksave për të pasurit do të shtonte defiçitin dhe barrën mbi amerikanët.“Nëse dikush vjen tek ju guvernator, me një plan për shpenzimin e 7 apo 8 trilion dollarëve por pa treguar se si do t`i gjejë këto para deri pas zgjedhjeve, nuk duhet ta pranosh një marrëveshje të tillë, as populli amerikan” tha Obama.Gjatë debatit të dytë presidencial në Universitetin Hofstra në New York, zoti Romney akuzoi presidentin se dëshironte të rriste taksat për të pasurit. Ai tha se plani i tij do të çonte në rritjen e vendeve të punës dhe një buxhet të balancuar.“Unë kam drejtuar biznese për 25 vite dhe kam balancuar buxhetet. Kam patur Lojërat Olimpike dhe e kam balancuar buxhetin. Kam drejtuar shtetin Massachussetts dhe nga pozita e guvernatorit kam balancuar buxhetin për katër vjet.”Kandidatët u pyetën nga votues ende të pavendosur se për kë do të votojnë. Pyetja e parë erdhi nga një student i cili u kërkoi kandidatëve të dinte se çfarë do bënin që ai të gjente punë dhe të mbështeste veten financiarisht pas mbarimit të shkollës.Zoti Romney tha se ishte e papranueshme që studentët mbarojnë shkollën me shumë borxhe dhe me shanse të vogla për të gjetur punë. Ai tha se studentët e meritojnë shansin për punësim. Pa dhënë detaje ai tha se e dinte se çfarë duhej bërë që ekonomia të rritej përsëri.Nga ana e tij, presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për sistemin arsimor më të mirë në botë. Ai tha se do të krijonte më shumë vende pune duke ringjallur prodhimtarinë në Shtetet e Bashkura dhe ritrajnimi i punonjësve për industri të tjera, duke përdorur paratë e kursyera nga dhënia fund e luftërave në Irak dhe Afganistan.Pas pyetjeve mbi energjinë, ekonominë, vendet e punës dhe pagës së barabartë për gratë, një pjestare e audiencës e pyeti zotin Romney mbi imigracionin.Guvernatori tha se nuk do të jepte amnisti për imigratët e paligjshëm. Ai tha se donte një sistem efikas imigracioni duke bërë thirrje për dhënien e më shumë Kartave të Gjelbra/Green Card për punonjësit e kualifikuar. Ai akuzoi presidentin Obama se kishte dështuar në mbajtjen e premtimit për të realizuar reformën për imigracionin.Presidenti tha se kishte bërë gjithçka të mundur për të rregulluar sistemin e imigracionit. Një tjetër pjestar në audiencë donte të dinte se kush kishte mohuar shtimin e sigurisë për konsullatën amerikane në Benghazi, Libya dhe pse.Zoti Romney e akuzoi presidentin se ju deshën dy javë për t`i treguar popullit amerikan se sulmi ndaj konsullatës dhe vrasja e ambasadorit amerikan dhe tre të tjerëve, ishte një akt terrorist.Nga ana e tij, presidenti tha se e kishte quajtur sulmin në Benghazi një akt terrorist ditën që pasoi. Ai tha se sygjerimi që kushdo në qeverinë e tij do të përdorte dhunën në Libi për përfitime politike apo hedhur hi syve popullit amerikan është fyes. Debati i tretë dhe i fundit presidencial do të zhvillohet javën që vjen në Florida.