Ushtria izraelite vret dy protestues, plagosen edhe 200 palestinezë gjatë manifestimit
Protesta e mijëra palestinezëvë në Ramallah u mbyll me vrasjen e dy protestuesve dhe plagosjen e mbi 200 të tjerëve. Protestuesit nisën marshimin e tyre nga Ramallahu drejt Jeruzalemit Lindor, ku u përballën me forcat izraelite.Ushtria izraelite e argumentoi përdorimin e armëve me faktin se protestuesit qëlluan me gurë, bllokuan rrugët dhe u vunë flakën gomave të makinave duke shkaktuar trazira të mëdha.Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, deklaroi se i vinte keq për vdekjen e cdo civili të pafajshëm por fajësoi Hamasin për këtë situatë. Kjo protestë në Bregun Perëndimor është cilësuar nga mediat vendase si lëvizja më e madhe e palestinezëve që prej vitit 2005.Deri tani numri i të vrarëve në luftimet në Gaza ka shkuar në 800 palestinezë dhe 33 izraelitë. Ndërkaq edhe gjatë ditës së sotme janë paralajmëruar protesta masive, duke e cilësuar "Dita e zemërimit". Një ditë më parë izraelitët goditën një shkollë të financuar nga OKB, ku u vranë 13 persona dhe më shumë se 200 të tjerë u plagosën.