Kanada, akulli “ngujon” disa balena

Banorë të Inukjuak, rreth 1500 km në veri të Montreal-it në Kanada u kanë kërkuar ndihmë qeverisë së Kanadasë për të shpëtuar një duzinë balenash, të “ngujuara” në një zgjatim të gjerë akulli në brigjet e gjirit Hudson.Një gjuetar i zonës, i dalloi balenat gjatë së martës, një ditë pasi autoritetet lokale njoftuan se ujrat e gjirit kishin ngrirë.“Duket se herë pas here, ato përfshihen nga paniku. Ndërsa, në momente të tjera duket sikur zhduken për një kohë të gjatë, me shumë mundësi në kërkim të ndonjë hapësire tjetër në shtresat e akullta, gjë që me sa duket nuk po e gjejnë” tha kryebashkiaku i Inukpuk për mediat vendase.Një zyrtar i sigurisë publike tha se balenat mund të mos kenë qenë në këtë zonë gjatë janarit. “I kemi parë këto lloj balenash vetëm gjatë verës, kurrë më parë në dimër”, tha Simeonie Nalukturuk.Disa fshatarë thanë se zona në fjalë duket se po zvogëlohet nga momenti në moment, pasi akulli po ngrin edhe më tepër. Zoti Inukpuk ka kërkuar për një makinë akullthyese për të shpëtuar balenat, ndërsa “Fisheries and Oceans Canada” (FOC) duket se është ende në fazën e vlerësimit të situatës.