Gjykata e Lartë, Nishani u përgjigjet PS-LSI: Dilni nga interesat partiake e praktikat bllokuese
Tiranë- Vetëm një ditë pasi shpalli listën e 22 kandidatëve që plotësonin kriteret ligjore për anëtarë të Gjykatës së Lartë, Presidenti Nishani u ka kthyer përgjigje edhe dy grupeve parlamentare PS-LSI, të cilët i kërkonin të rihapte procesin e kandidimit.Përmes një letre të bërë publike në faqen zyrtare të Presidencës, kreu i shtetit Bujar Nishani thekson se konstatimet dhe rekomandimet e PS-LSI janë kontradiktore, pasi jo vetëm nuk mbështeten në dispozitat e ligjit mbi të cilat është zhvilluar deri tani praktika e emërimit, por dhe se këto dispozita janë shfuqizuar nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese për të cilin ishin në dijeni vetëm ata, i shpallur me 7 korrik 2014.Në vijim të letrës, Nishani thekson se është absurde që dy grupet parlamentare të pretendojnë se Kuvendit i është hequr kompetenca për vendimmarrjen mbi dhënien e pëlqimit.“Parë me syrin e dorëzanësit të Kushtetutës dhe ligjit, në këtë proçes janë përfshirë edhe ekspertë konstitucionalistë dhe të botës akademike, të cilët me ekspertizën e tyre kanë kontribuar në vendimmarrjen për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë, të bëra tashmë publike” thekson Nishani.Për Presidentin me marrjen e statusit Vend Kandidat në Bashkimin Europian kërkohet një qasje e re në veprimtarinë parlamentare në raport me detyrimet ndaj institucioneve të tjera kushtetuese dhe të pavarura.Duke pranuar se në jo pak raste, puna midis dy institucioneve lë për të dëshiruar, ai ndan bindjen se Parlamenti duhet të përmbushë detyrimet e veta në zgjedhjen e organeve kushtetuese dhe institucioneve të pavarura, pavarësisht ndarjes partiake, apo interesit afatshkurtër apo afatgjatë politik.“Bazuar në nenin 4/1 të Ligjit 151/2013, periudha prej datës 11 prill 2014 deri më ditën kur janë zhvilluar takimet konsultative me krerët e gupeve parlamentare, jo vetëm që nuk bie ndesh me asnjë dispozitë ligjore, po ka qenë një kohë optimale për të zhvilluar verifikimet të cilat janë të domosdoshme për të verifikuar kriteret objektive të gjithsecilit kandidat si dhe pastërtinë e figurave që konkurrojnë (pasi kjo nuk është objekt i shqyrtimit nga Komisioni për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë). Të nderuar Kryetarë të grupeve parlamentare PS, LSI,pavarësisht qëndrimit të pajustifikuar dhe të pambështetur në ligj të deputetëve të grupeve tuaja parlamentare për të mos miratuar dekretet e Presidentit të Republikës për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, pavarësisht pretendimeve të paargumentuara dhe jo të drejta të letrës suaj, unë, si Kryetar i Shtetit Shqiptar, mbetem me besimin se në Kuvendin e Shqipërisë, do të rikthehet praktika ligjore dhe kushtetuese duke respektuar jo vetëm pushtetet dhe institucionet kushtetuese të vendit, por edhe praktikën e konsoliduar prej shumë legjislaturash të këtij Kuvendi në emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë”.