“Monstra”, familjarët e të dënuarve dhe viktimave të pakënaqur me vendimin

Maqedoni- Familjarët e të dënuarve për rastin “Monstra” e kanë pritur me dëshpërim dhe zhgënjim vendimin e gjykatës, e cila një ditë më parë dha për ta burgim të përjetshëm.Ata thonë se bëhet fjalë për proces të montuar, që u kurorëzua dje me dënime të turpshme kundër të afërmve të tyre.“Kush është i fortë sjell edhe aktgjykim. Çdo gjë është bërë me forcë, me montim. U realizuan sot disa projekte, të cilat i kishin si aspirata për të hequr dikë qafe”, tha një familjar i të dënuarve.Të pakënaqur nga aktvendimi ngelën edhe familjarët e të viktimave. Ata thonë se pas vrasjes së bijve të tyre qëndrojnë 5 persona të cilët i di shteti, por që mbahen të fshehtë dhe nuk ndiqen nga drejtësia. Gjithashtu familjarët e viktimave u shprehën të revoltuar për lirimin e Sejdi Rami, për të cilin gjykata nuk arriti ta gjejë lidhje me të akuzuarit e tjerë.“U befasova që njëri u lirua nga rasti. Është fakt se ka edhe porositës pas kësaj vepre”, deklaroi familjar i viktimave.“Jemi të befasuar për lirimin e Sejdi Rami, kur prokuroria tregoi se 10 ditë ka përcjellur me GPS... Nuk jemi të kënaqur nga i gjithë procesi gjyqësor. I kërkojmë të gjithë ata 5 persona që shteti i shpalli si sekret shtetëror”, u shpreh familjar i viktimave.Një ditë më parë gjykata dha dënimin burg për jetë  per Alil Demirin, Agim dhe Afrim Ismailoviq, Fejzi Azirin dhe Haki Azirin, të cilët u shpallën fajtorë për vrasjen e 5 personave në Smillkovë që u cilësua si akt terrorist. Sejdi Rami u shpall i pafajshëm dhe u lirua.Procesi gjyqësor Monstra për dy vjet ka tërhequr vëmendjen e opinionit, madje duke shkaktuar edhe tensione dhe protesta masive të shqiptarëve. Familjarët e të dënuarve thonë se do të presin vendimin e Gjykatës së Apelit, para se të vendosin se si do ta manifestojnë pakënaqësinë për dënimet enorme ndaj familjarëve të tyre.Marre nga AlsatM