Statusi, Van Rompuy-Nishanit: BE nuk vuan nga lodhje ndaj zgjerimit

Presidenti Këshillit Europian, Herman Van Rompuy i shprehu presidentit Bujar Nishani se dhënia e statusit për Shqipërinë është një vlerësim i arritjeve të Shqipërisë, por edhe një dukje e qartë se BE nuk vuan nga lodhja ndaj zgjerimit.Këto deklarata Van Rompuy i shprehu gjatë një bisede telefonike që zhvilloi me presidentin e Republikës Bujar Nishani.Ndër të tjera Rompuy uroi Nishanin për statusin e ri që gëzon tashmë Shqipëria si vend kandidat i BE.“Dhënia e statusit është gjithashtu tregues i qartë se BE nuk po vuan nga lodhja ndaj zgjerimit, dhe se Shqipëria do të vazhdojë në rrugën e reformave e bashkëshoqëruar nga mbështetja dhe angazhimi i BE”, i tha Rompuy presidentit Nishani.Nga ana e tij Presidenti Nishani falënderoi Presidentin Van Rompuy, dhe nëpërmjet tij, të gjithë krerët e shteteve dhe qeverive, anëtarë të Këshillit Europian, për vendimin unanim të datës 27 qershor, duke e bërë Shqipërinë vend kandidat për anëtarësimin europian. Presidenti theksoi se, “ky vendim i merituar dhe shumë i rëndësishëm për Shqipërinë është vlerësim për arritjet e deritanishme por edhe inkurajim i fortë për të vazhduar përpara në rrugën e reformave të mëtejshme”. Ai e garantoi Presidentin Van Rompuy se do të bëjë gjithçka për të mbështetur përparimin e reformave, kyçe për avancimin e vendit drejt BE, orientuar bindshëm drejt standardeve europiane.Presidenti Nishani përgëzoi me këtë rast, edhe nënshkrimin e Marrëveshjeve të Partneritetit dhe Asocimit me Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë, duke e siguruar se Shqipëria do të mbetet një aleate e ngushtë përkrah BE për menaxhimin dhe zgjidhjen e situatës në Ukrainë. Presidenti Van Rompuy shprehu vlerësimin maksimal për këtë mbështetje dhe shprehu besimin për t’u takuar së shpejti në Tiranë.