Lezhe, Tatimet: Do regjistrohen, Tregtaret: Do hyjmë në grevë urie
Tregtarët e Lezhës kanë deklaruar se “nuk kanë bërë asnjë marrëveshje me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe se do të hyjnë në grevë urie nëse nuk arrihet një zgjidhje”. Duke e konsideruar deklaratën e Drejtorisë së Tatimeve si një gënjeshtër.“Ne nuk kemi bërë asnjë marrëveshje me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Ne do të hyjmë në grevë urie po nuk na dhanë një zgjidhje deri nesër. Deklarata e tatimeve është bërë për të na përçarë ne, por ne jemi të vendosur për t’ia arritur qëllimit”, janë shprehur tregtarët.Më herët Drejtoria e Tatimeve deklaroi se kanë arritur marrëveshje me tregtarët që të bëjnë regjistrimin e bizneseve.Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka rënë dakord me tregtarët e Lëzhës se do të fillojnë proçedurat për regjistrimin e bizneseve në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit dhe në Organin Tatimor. Gjithashtu Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i bën thirrje politikës që të distancohet. Lajmin e bëri të ditur nëpërmjet në njoftimi për shtyp Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve."Me të marrë dijeni për situatën e krijuar, Drejtori i Përgjithshëm, stafi më i lartë drejtues i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtori i Drejtorisë rajonale Lezhë, në bashkëpunim me Bashkinë Lezhë realizuan një takim me një përfaqësi prej 12 tregtarësh.Në përfundim të këtij takimi u ra dakort që tregtarët do të fillojnë procedurën e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit dhe në Organin Tatimor. Administrata Tatimore Rajonale do t’i asistonte për çdo informacion të nevojshëm në mënyrë që ky proces të përfundonte brenda 1 jave me sukses."Takimi mes tatimorëve dhe një përfaqësie prej 12 tregtarësh u bë ditën e djeshme menjëherë pas incidentit që ndodhi ku një grup prej 300 personash rrethuan ambientet e Drejtorisë Rajonale Tatimore Lezhë dhe shumë prej tyre hynë forcërisht në ambientet e Shërbimit për Tatimpaguesit, duke penguar në këtë mënyrë ofrimin e shërbimit për bizneset dhe individët dhe duke kërkuar që Administrata Tatimore të tërhiqet nga kërkesa e saj për zbatimin e Ligjit.Drejtoria e Tatimeve: Politika të distancohet“I bëjmë thirrje politikës të distancohet dhe të lejojë Administratën Tatimore të ushtrojë funksionet e saj ligjore. Deputetë të caktuar të qarkut Lezhë të mos politizojnë këtë çështje duke nxitur tek qytetarët moszbatimin e Ligjit”.Në njoftimin thuhet se “Administrata Tatimore është e vendosur në zbatimin e Ligjit dhe do të ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë për të gjithë ata që kanë cënuar integritetin e institucioneve shtetërore dhe kanë penguar zbatimin e ligjit, i cili është i njëjtë për të gjithë”."Administrata Tatimore e rajonit Lezhë, prej disa ditësh ka marrë masat për regjistrimin e 360 subjekte të cilët, prej vitesh, ushtronin aktivitet në tregun e qytetit Lezhë të paregjistruar duke mos paguar asnje lloj detyrimi tatimor dhe kontributesh të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, përveç një shume prej 2.000 lekësh qera mujore që i paguhet firmës kontraktore e cila ka në administrim tregun. Duke mos gjetur mirëkuptim për plotësimin e këtij detyrimi ligjor, Administrata tatimore dhe strukturat e saj realizuan bllokimin e tregut, në zbatim të kuadrit ligjor në fuqi."