Ish të përndjekurit prej 10 ditësh në grevë urie, rëndohet gjendja shëndetësore
Tiranë-Gjendja shëndetësore e grevistëve ish-të përndjekur është rënduar. Pasditen e sotme rreth orës 19:30 është dërguar në spital grevisti Ilmi Osmani për të marrë mjekim.Në një deklaratë për mediat një grevist ka paralajmëruar se gjendja e Osmanit është e rëndë. Por ndërkohë ai është shprehur i bindur se do të vazhdojnë grevën e urisë. Ai e ka konsideruar heshtjen e Ramës si një hakmarrje karshi kësaj proteste.“Më i përvuajturi nëpër kampet e burgjeve të Shqipërisë, e ka gjendjen shëndetësore shumë të përkeqësuar, por siç iu kemi bërë me dije edhe më parë, nuk është prezente ambulanca, as personeli mjekësor i spitalit shtetëror. Gjendja e tij sa vjen dhe përkeqësohet, tensioni i ka zbritur në 9 me 5 duke patur parasysh moshën dhe vuajtjen e tij, gjëndja është shumë e rëndë. Kjo është hakmarrja e Edvin Ramës karshi kësaj proteste, të cilës ai nuk gjen dot mënyrë për të na dhënë përgjigje. Le të na përgjigjet, pse nuk pranon të gjykohet ati i tij shpirtëror Enver Hoxha, pse nuk pranon të hapen dosjet, edhe hakmerret duke mohuar ambulancën, që është garancia më minimale për një vend demokratik, për një vend që ka aspirate të hyjë në Europë”Në ditën e 10-të, një ish i përndjekur i rikthehet grevës pas qëndrimit 4 ditor në spitalin e sëmundjeve të brendshme në sanatorium.Shaban Hoxha rinis grevën, duke treguar raportin mjekësor të spitalit.“Ja fleta e daljes nga spitali, ka një orë. Është dizinformim i disa mediave, më vjen keq që kanë deklaruar se në spital nuk ka asnjë të shtruar nga grevistët. Një nga ata jam unë, ja ku është dokumenti, ta verifikojnë dhe në spital”tha ai.Për të besuar në vertetësinë e grevës, Fatmir Hoxha, sot ftoi mjekët të bënin analizat e nevojshme, nëse grevistët kanë konsumuar apo jo ushqim.“Jemi plotësisht dakort që të vinë doktorë, specialistë të na e marrin analizën dhe jemi të gatshëm të japim analizën”deklaroi Hoxha.Ata që janë në këtë çadër vazhdojnë të shprehin vendosmërinë që do të vazhdojnë me grevën. Ndërsa ambulanca prej 2 ditësh mungon pranë çadrës së ish-të përndjekurve.