Bushati për statusin: Shqipëria në kushtet për të marrë një 'PO'
Tiranë- Asnjë nga vendet anëtare të BE nuk ka dhënë sinjale për bllokimin e statusit të kandidatit për Shqipërinë në 23 qershor. Këtë e konfirmon në një intervistë për Ora News, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i cili e sheh vendin në kushte të favorshme për të marrë një "po" edhe nga Ministrat e Jashtëm të unionit." Raporti i komisionit ka vetëm dy ditë që është publikuar, nga fundi i javës tjetër do vazhdojnë diskutimet në të gjithë strukturat e BE, për të përfunduar me Ministrat e Jashtëm me datë 23 dhe më pas me kryetarët e shtëteve me datë 27 qershor. Deri tani komunikimi ynë si Shqipëri ka qenë në kushtet kur nuk kishte dalë raporti i KE, por mbi bazën e reformave të ndërmarra. Mbetet të shikohet qëndrimi jo thjesht i 5 vendeve, por i 28 vendeve. Është momenti zyrtar dhe jemi në një fazë cilësisht të ndryshme. Procesi i komunikimit me vendet anëtare do vazhdojë. Në këtë moment që flasim sëbashku ju them me përgjegjësi të plotë që nuk ka asnjë vend anëtar që të ketë shprehur një pakënaqësi ndaj argumenteve, fakteve dhe konkuzioneve të KE" tha Bushati.Zgjedhjet në PE, kanë shtuar frikën e ndikimit të eurospektikëve, por për kryedoplomatin shqiptar, BE ka vetëm një rrugë, zgjerimin.Numri një i diplomacisë kërkon sërish Konsensus politik, për të ecur më shpejt drejt Brukselit.I pyetur për një nga çështjet më të nxehta në raportet me Greqinë, Ministri Bushati tha palët po punojnë ende për opsionet që do çojnë drejt një zgjidhje, duke shtuar se adresimi tek Prokuroria e Përgjithme për marrëveshjen e firmosur nga qeveria e shkuar, nuk është presion ndaj opozitës." Me Greqinë ne kemi disa çështje të cilat kërkojnë zgjidhje, janë çështje të mbartura, një pjesë e tyre kanë një rëndësi dhe specifikë të caktuar historike. Ndërkohë ka çështje të tjera që janë akumuluar pas '90. Që nga shtatori kontaktet tona me autoritetet greke kanë qenë të intensifikuara. Kemi bërë një inventarizim me palën greke të gjithë problematikën dypalëshe që kërkon të adresohet. Rasti parë që mund të konsiderohet i adresuar është çështja e toponimeve. Dhe besoj se për të gjitha çështjet e tjera do kemi të njëjtën përqasje dhe pikë referimi të parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe interesin e ndërsjelltë të dy vendeve. Është me rëndësi që Greqia ka qenë dhe mbetet mbështetëse e rrugëtimit europian të Shqipërisë. Besoj se jemi në kushtet kur dy palët e kanë të qartë kuadrin në të cilin ndodhet, vijat e kuqe dhe kuadrin konceptual mbi të cilat mund të ecin. Asgjë nuk do bëhet dhe nuk është bërë në fshehtësi. Sot për sot jemi në kushtet kur një draft marrëveshje e negociuar nga pala shqiptare është hedhur poshtë nga gjykata kushtetuese. Është situatë që nuk ka lënë shije të mirë as për vendin dhe as në raport me fqinjët. Kemi një raport të detajuar ku identifikohen qartë mangësitë në proces. Prokurorisë së përgjithshme i takon për të konkluduar në rast se ka elementë të veprës penale, nuk më takon mua të bëj pretence. Në rast se Prokuroria mendon se ka elementë të veprës menale, Ministri do bashkëpunojë me Prokurorinë. Kjo nuk ka pse të acarojë marrëdhëniet me opozitën për shkak se ish-Ministri i Jashtëm sot është kryetar i PD, pasi janë dy procese institucionale dhe dy funksione institucionale qartësisht të ndara"tha ai.Gjatë intervistës për Ora Neës, Ministri i Jashtëm foli edhe për stituatën në rajon. Duke u ndaluar tek Maqedonia, ai tha se në qeverinë e re, faktori shqiptar duhet të ketë një përfaqësim dinjitoz. (Video: Intervista e plotë e Ditmir Bushatit)