Bregu flet pas dialogut: U vlerësua dhe puna e qeverisë së shkuar
Tiranë- Opozita shqiptare ndan bindjen se statusi kandidat në BE duhet të merret me patjetër. Kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu, duke folur pas dialogut të nivelit të lartë tha se rekomandimi i Komisionit Europian ishte i merituar dhe se raporti vlerësoi edhe punën e qeverisë së shkuar.“Unë ndjehem shumë mirë dhe të gjithë kolegët e mi të opozitës. Meqënëse se kjo është deklarata e parë në emër të opozitës, pas bërjes prezent të raportit për të marrë vendimin e vendit kandidat , më lejoni t’ju shpreh atë që kemi thënë që ditën e parë që statusi i vendit kandidat i vonuar për Shqipërinë do të merret patjetër në muajin qershor. Jemi ndjerë shumë mirë sëbashku me kolegët e mi të opozitës, me zotin Halimi dhe zotin Ristani, që në raport vlerësohen arritjet, përpjekja, puna dhe reformat e ndërmarra gjatë 8 vite te qeverisjes tonë , gjë që do të thotë se qeveria e re nuk ka pse të jetë xheloze sepse ka vetëm 8 muaj në pushtet. Vendimi i marrë i statusit të vendit kandidat , është një vendim i cili jo vetëm që i duhet Shqipërisë, i duhet të gjithë shqiptarëve, sepse e kanë merituar atë vendim me kohë” tha Bregu.Ndërkaq Bregu garantoi se opozita do jetë në krah të mazhorancës për reformat, nëse ligjet do të jenë gjithpërfshirëse.“Le të urojmë të gjithë, që ky qershor ta komfirmojë këtë vendim pozitiv dhe të mos ngelet me kaq, por hapat e mëtejshëm të proçesit për aq sa janë me shumë sfida, të kthejnë vemendjen dhe monitorimin tek respektimi i ligjit në Shqipëri, i Kushtetutës, i institucioneve të pavarura, gjëra për të cilat opozita do të jetë gjithmonë në krah të mazhorancës në rast se ky proçes do të jetë gjithëpërfshirës, transparent, larg agresivitetit dhe duke e konsideruar integrimin si axhendën tonë kombëtare dhe të gjithë shqiptarëve”tha ajo.