Rama: Shqiptarët nuk janë kriminelë lufte

Luftërat tragjike në ish-Jugosllavi nuk duhet të përmbyllen duke i akuzuar shqiptarët për krime lufte. Kështu ka deklaruar kryeministri, Edi Rama, në të përditshme austriake “Standard”. Duke folur për krijimin e Gjykatës së Veçantë për krime lufte në Kosovë, kryeministri thekson se do të ishte shkelje e të drejtave të njeriut nëse shqiptarët ndiqen sikur të ishin kriminelë lufte."Unë besoj se çdo krim lufte duhet të gjykohet dhe të dënohet, por nga ana tjetër do të ishte absolutisht negative për çdo standard të drejtave të njeriut dhe të drejtës për liri dhe vetëvendosje të popujve, në qoftë se shkohet në atë drejtim duke i ndjekur shqiptarët, sikur të ishin kriminelë lufte, kur ata ishin në mënyrë të qartë viktimat, dhe ata që rezistuan duke u përpjekur për të mbijetuar”.I pyetur nëse Shqipëria do të bashkëpunojë me këtë Gjykatë pasi raporti i Dik Martit e përfshin edhe vendin tonë, kreu i qeverisë shqiptare ka thënë se Tirana është e hapur për çdo hetim. Në të njëjtën kohë ai theksoi se Shqipëria është e vendosur kundër çdo spekulimi, pasi sipas tij është e qartë se "ka vend edhe për spekulime".Lidhur me vizitën e tij në Beograd, Rama tha se vizita është shtyrë dhe se nuk ka ende asnjë datë, por shprehu bindjen se kjo do të ndodhë në këtë vit."Evropa ka nevojë për më shumë strategji, taktika më pak të thjeshta. Unë shpresoj shumë se Ukraina do të shërbejë për të shtyrë përpara Evropën. Jam shumë e inkurajuar pas takimit me kancelaren gjermane Angela Merkel, pasi ajo theksoi se është e vetëdijshme që Ballkani duhet të marrë më shumë vëmendje, pasi Ballkani është një tregim i suksesshëm ndërkombëtar i udhëtimit nga lufta në paqe”.