PS u përgjigjet akuzave të PD: Gjatë qeverisjes së djathtë, lulëzoi droga

Tiranë- Selia rozë u është përgjigjur sot akuzave të Partisë Demokratike lidhur me trafikun e drogës, duke i akuzuar këta të fundit se droga lulëzoi gjatë qeverisjes së tyre. Në një dalje për mediat, deputeti socialist, Besnik Bare, tha se PD me akuzat e neveritshme ndaj policisë së shtetit po i jep krahë krimit dhe trafikantëve.Deklarata e plotë:Sot shqiptaret ishin dëshmitarë të sulmit të neveritshëm që opozita po i bën forcave të rendit, procesit të integrimit europian, imazhit të vendit.Pa fakte, por vetëm me shpifje e gënjeshtra të neveritshme, opozita tenton të dezinformoje opinionin publik. E vërteta është se policia e shtetit është në detyrë dhe sot aksionet policore janë shumë herë më të suksesshme se një vit më parë, kur Shqipëria qeverisej pikërisht nga ata që sot janë në opozitë.Të gjithë e dinë se kanabisi mbillet në verë. Droga e konfiskuar nga policia është drogë e mbjellë kur qeveriste Berisha.Por ndryshe nga koha e Berishës, policia sot trafikun e drogës po e ndalon.19 ton kanabis e kapur nga shtatori në prill të këtij viti, vetëm 14 ton e kapur një vit më parë.Çfarë bëri qeveria e kaluar ne 8 vjet për të ndalur trafikun e drogës? Shifrat flasin qartë. Gjatë qeverisjes së kaluar droga është mbjellë më shumë dhe është kapur më pak.Sot, shqiptarët duhet të kenë besim në institucionet shtetërore dhe të mos bien pre e propagandës së opozitës, që në një moment kyç për integrimin europian, përpiqet me çdo kusht të nxije imazhin e vendit. Policia e shtetit është duke luftuar ashpër me një mostër, që është trafiku i drogës dhe krimi i organizuar.Një mostër që për 8 vjet u forcua çdo ditë e më shumë, por që sot po jep shpirt. E teksa jep shpirt, përpiqet sigurisht të godasë me ndonjë kafshim të fundit.