Trafik droge nga ajri, Mediu: Qeveria e neglizhoi, si në rastin e avionit në Shëngjin
Tiranë- Qeveria neglizhoi faktet dhe dëshmitë e qytetarëve shqiptarë dhe të opozitës lidhur me trafikun e drogës. Kështu deklaron nga SHBA kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, duke theksuar se rasti i Divjakës nuk është i vetmi siç edhe pretendon mazhoranca. Në një bisedë telefonike për Ora News, Mediu hedh pikëpyetje lidhur me një rast të ngjashëm të rrëzimit të një avioni në Shëngjin, por që sipas tij ndaj ati rasti nuk u nis asnjë lloj hetimi nga instancat përkatëse."Opozita shqiptare s'ka bërë kompromis kundër të vertetës,opozita tregon se qeveria shqiptare mendon se është vetë shteti, duke mos konsideruar faktet dhe dëshmitë që vijnë nga qytetarët shqiptarë dhe opozita, këtu nuk flitet se policia ka bërë punën e saj, ajo ka ndërhyrë për shkak të rrethanave. Kjo ka ndodhur dhe në Shëngjin para ca muajsh ku një avion u rrëzua në rërë dhe nuk u ngritën pyetje nga policia e shtetit.Fakti i deklarimit nga drejtuesit me të lartë te mazhorancës, që avionët ishin për mushkonja, tregon mungesë funksionimi, mungesë funksionimi të shtetit dhe strukturave përkatëse.Shërbimi Informativ nuk është shërbim prove. Kur opozita ngre një dyshim duhet vlerësuar nga mazhoranca dhe kjo s’ka ndodhur"tha Mediu.Duke folur mbi axhendën e takimeve të tij në SHBA dhe fokusin e përqëndrimit të diskutimeve, Mediu tha se SHBA sheh me shqetësim respektimin e ligjit në Shqipëri, sikundër konfliktin institucional, ekzekutiv-Presidencë."Fokusi i bisedimeve këtu ka qenë respektimi i ligjit, shqetësuese mbetet mbivendosja e qeverisë mbi ligjin dhe Kushtetutën, në konflikt me Presidentin e Republikës dhe institucionet e tjera”theksoi ai.Mediu bëri një parantezë për nje nga diskutimet në SHBA mbi një shqetësim të shtuar për mijëra shqiptarë që kanë shkuar në luftën e Sirisë, të cilët mund të përbëjnë rrezik nëse kthehen në Ballkan.I pyetur nëse gjithë kjo panoramë në vend mund të rrezikojë marrjen e statusit në qershor, Mediu u përgjigj:“SHBA janë të interesuar qe Shqipëria të fitojë statusin dhe kërkojnë respektimin e ligjit jashtë tendencave të kontrollit politik. Uroj të marrim statusin ,se ai i takon shqiptareve me të drejtë, por mungon lëvizja e mazhorancës në një angazhim të plotë, se si duhet për të fituar statusin”.