Rrëzohet avioni në Divjakë, zbulohet trafiku i drogës përmes ajrit
Defekti i avionit ka dështuar operacionin e trafikut të drogës nga Shqipëria në drejtim të Italisë.
Në orën 14:40 minuta te 10 majit 2014, një avion i vogël me një pilot italian është rrëzuar në plazhin e Divjakës, duke ngritur në këmbë policinë e shtetit. Lajmi bëhet publik në media rreth orës 15:54 minuta.
Ngjarja nuk është konsideruar aksidenale nga policia, e cila rrethon plazhin me dhjetëra efektivë, ndërsa në zonë fluturojne edhe helikopterë. Forcat e rendit ndalojne qarkullimin për në hyrje të pyllit të Divjakës, ndërsa nis një aksion që rezulton në zbulimin dhe bllokimin e një automjeti me 460 kilogramë drogë.
Shtetrrethimi i Divjakës zgjat për disa orë. Arrestohet Giorgio Riformatto, piloti dhe pronari italian i avionit tip ‘Piper’ dhe Sajmir Bajrami, drejtuesi i një automjet tip 'Mitsubishi' i cili ishte ngarkuar me 460 kg drogë. Dy orë më pas ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri del në një konferencë për median për të tregur detajet e operacionit. Në orët e mbrëmjes mësohet se Sajmir Bajrami ka pranuar se ishte korrieri i drogës, dhe se ngarkesa prej 460 kg do t'ia dorëzonte shtetasit italian dhe do të transportohej në avion. Nga ana e tij Giorgio Riformatto ka mohuar të ketë lidhje me drogën dhe se kishte ardhur në Itali për vizitë.
Po kështu në mbrëmje një grup hetimor shkon në aeroportin e Rinasit dhe sekuestron të gjithë dokumentacionin e hyrje-daljeve të avionit të rrëzuar. I gjithë operacioni ndiqet e vëmendje edhe nga politika. Ish kryeministri Berisha dhe kreu i PD-së Lulzim Basha e quajnë provë të kauzës së tyre por dhe të mashtrimit, dhe kërkojnë hetim. Nga ana tjetër Kryeministri Edi Rama e quan provë të faktit se Policia e Shtetit është në krye të detyrës.
Presidenti Bujar Nishani therret në takim kryeprokurorin Adriatik Llalla. Avioni sipas ALB Control ka kërkuar leje më 5 maj dhe më 8 maj ka mbërritur në Rinas, ku ka qëndruar për 2 ditë. Pasdreken e datës 10, avioni me pronarin italian ka lënë pistën e Rinasit dhe më pas u gjet i aksidentuar në palzhin e Divjakës.
Sipas deklaratës së Ministrisë, shtetasi shqiptar Sajmir Bajrami i cili jetonte në Itali prej vitesh ka mbërritur në Shqipëri në të njëjtën datë me shtetasin Italian Giorgio Riformatto, pronarin e avionit. Kjo deklaratë ngre dyshime për një bashkëpunim mes dy të arrestuarve për organizimin e ndonjë trafiku të mundshëm në bashkëpunim.
Megjithatë detajet e dhëna nga Ministria e Brendshme janë të pakta dhe pritet që në orët në vijim të jetë policia e shtetit ajo që do të sqarojë të gjithë ngjarjen pas hetimeve më të hollësishme. Rrëzimi i avionit pikërisht në vendin ku Partia Demokratike prej kohësh ka denoncuar trafikun ajror të drogës ngre dyshimet për vërtetësinë e tyre, por sipas Minstrisë së Brendhme avioni i vogël që u aksidentua vinte për herë të parë në Shqipëri.
Ora News përcjell minutë pas minute- Çfarë ndodhi me 10 maj 2014
Ora 23: 00 Bajrami pranon: Drogen do e trasportoja ne avion
Në orët e mbrëmjes mësohet se Sajmir Bajrami ka pranuar se ishte korrieri i drogës, dhe se ngarkesa prej 460 kg do t'ia dorëzonte shtetasit italian dhe do të transportohej në avion. Nga ana e tij Giorgio Riformatto ka mohuar të ketë lidhje me drogën dhe se kishte ardhur në Itali për vizitë.
Ora 22: 43-Grupi hetimor në Rinas, sekuestron dokumentacionin e avionit të rrëzuar Një grup hetimor ka mbërritur në orët e mbrëmjes në aeroportin e Rinasit dhe ka sekuestruar të gjithë dokumentacionin e hyrje-daljeve të avionit të rrëzuar në Divjakë. Grupi hetimor do të verifikojë dhe komunikimin mes kullave të komandimit në Rinas, Korfuz dhe Pescara dhe itinerarin që do ndiqte avioni.
Ora 22:00 - PS reagon përmes Erjon Braces: U kap lumi i drogës nga plantacioni i Berishës Selia rozë ka reaguar pas akuzave të lëshuara nga kreu i PD-së, Lulzim Basha lidhur me operacionin antridrogë të policisë në Divjakë. Deputeti, Erjon Brace, në një deklaratë për mediat tha se sot shqiptarët morën provën e radhës së një Qeverie të angazhuar fort në luftën kundër krimit të organizuar.
Ora 19:45 - Nishani therret Kryeprokurorin
Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka thirrur në një takim kryeprokurorin Adriatik Llalla.
Ora 18:30 - Ekskluzive: Deshmitari per Ora News: Tre persona me thane tu tregoja vendin ku ra avioni
Nje dëshmitar në një lidhje telefonike për Ora News informoi sot se 1 orë e 30 minuta para se të binte avioni tre persona me një hartë në dorë i kishin kërkuar ti tregonin se cila ishte rruga që të merrte për të shkuar pikërisht aty ku u gjet avioni:
“Më erdhi një makinë dhe më tregoi një hartë ku donte të dinte se ku është bregdeti. Tre persona në makinë më erdhën me hartë në dorë dhe më thanë t’i tregoja se cila është rruga për të shkuar në atë vend ku ra avioni” tha banori për Ora News.
Lidhja telefonike ndodhi rreth orës 18:30 pak kohë pasi u bë publik gjetja e avionit.
Ora 18:20 - Reagon Rama permes nje postimi ne facebook
Kryeministri Edi Rama e quan provë të fortë se Policia e shtetit është kthyer në detyrë. Në një postim në facebook Rama shkruan se “Operacioni është provë se shteti po ringrihet me shpejtësi dhe se policia e shtetit është në krye të detyrës”
Ora 18:00 - Ministri Tahiri del ne konference: Avioni ka bere ulje shkak nje defekt,prane u gjet nje makine me 460 kg droge.
Me vone do informohet nëse avioni dhe fuoristrada e kapur në këtë zonë janë pjesë e një tentative për trafik të paligjshëm të lëndëve narkotike. Ja deklarta e plote "Sot në orën 14: 40 një avion i vogël ka bërë ulje në plazhin e Divjakës, ku është dëmtuar duke thyer një nga rrotat dhe helikën. Policia ka ndaluar pilotin që është shtetasi italian, Giorgio Riformatto. Nga hetimet praparake rezulton se avioni është nisur nga Rinasi në orën 13:20 me leje fluturimi numër 193 i nëshkruar nga Aviacioni Civil me destinacion Italinë. Nga të dhënat e deritanishme kjo është hera e parë që avion ulet në vendin tonë. Avioni është gjetur bosh, ndërkohë që pretendimi i shtetsit italian është se ka bërë ulje të detyruar për shkak të një defekti teknik gjë që pritet të identifikohet nga hetimet. Paralelisht policia e shtetit dhe policia kufitare e zonës sëbashku me forcat e ndërhyrhjes së shpejtë kanë bërë rrethimin e zonës ku dhe është identifikuar një makinë Mitsubishi me targë AA 794 EU me një ngarkesë droge të llojit hashash, si dhe disa canta me lëndë narkotike në afërsi të makinës. Në vlerësimin fillestar mendohet të jenë rreth 460 kg kanabis. Sapo jam informuar nga policia që në këto moment është arrestuar drejtuesi i mjetit që ishte larguar në pyllin e Divjakës, që quhet Sajmir Bajrami 38 vjeç, të cilit i janë sekuestruar edhe 27 mijë euro. Ky shtetas ka jetuar në Itali dhe ka mbërritur në Shqipëri vetëm dy ditë më parë. Në vijim policia e shtetit do ju informojë më shumë dhe sigurisht nëse avioni dhe fuoristrada e kapur në këtë zonë janë pjesë e një tentative për trafik të paligjshëm të lëndëve narkotike."
Ora 17: 20 - Deputeti i PS Brace: Kapet transportuesi dhe i i zoti makines
"Bravo edhe nje here policise!!
OPERACIONI I SHKELQYER I POLICISE PO VIJON!!
Kapet edhe i dyti pas operacionit, transportuesi dhe i zoti i makines!!" shkruan Brace ne facebook.
Ora 17: 10 -Deputeti i PS, Brace: Sali Berisha po shpif serish! Erjon Brace, deputeti socialist i asaj zone reagon ne facebook."Sali Berisha po shpif serish!!
Nuk ka avion te ngarkuar;
Nuk ka avion te rrezuar e nuk ka avion te rrezuar nga mbipesha;
Nuk ka 4 makina te ngarkuara me droge;
Nuk ka herione, "miell" sic perdoruesi Berisha i thote; behet fjale per hashash;Ka prej nje muaji sherbime te perforcuara te policise se Lushnjes ne gjithe bregdetin nga Shkumbini ne Adriatik ne mbrojtje te cdo pellembe bregdet;
Ka prej mengjesit sherbime te perforcuara te policise kufitare ne Divjake-Adriatik;
Ka nje operacion te madh te policise kufitare dhe policise se Lushnjes menjehere pasi kane pare avionin ne ajer ne qiellin mbi Divjake, per kapjen e pilotit dhe te transportuesit te nje sasie hashashi ne nje makine te vetme tip fuoristrade;
Transportuesi eshte nje i vetem dhe nuk eshte nga Divjaka por ardhes nga Durresi;
Hetimet vijojne dhe duhet te shkojne deri ne fund!!
Eshte nje sukses i plote i Policise se Shtetit!!"
Ora 17:00 - Reagon Berisha: Kapet mushkonja e parë e miellit e Edi Ramës Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar menjëherë pas bllokimit të avionit në Divjakë.
Ora 16:45 Albcontrol: Avioni kishte leje fluturimi
Albcontrol informon se Avioni ka leje fluturimi në hapësirën shqiptare. Sipas Albcontrol leja e fluturimit të avionit mban nr.193 dhënë më datë 05.05.2014 i vlefshëm edhe për sot.
Ora 16:30 Policia rrethon zonën Gazetari ynë informon se policia ka rrethuar plazhin me dhjetëra efektivë. Ngjarja nuk është konsideruar aksidenale nga policia, e cila ka rrethuar plazhin me dhjetëra efektivë, ndërsa në zonë kanë fluturuar edhe helikopterë. Forcat e rendit kanë ndaluar qarkullimin për në hyrje të pyllit të Divjakës, ndërsa ka nisur një aksion që ka rezultuar në zbulimin dhe bllokimin e një automjeti me 460 kilogramë drogë. Shtetrrethimi i Divjakës ka zgjatur për disa orë dhe në fund të operacionit në pranga ka përfunduar pronari i avionit Giorgio Riformatto dhe drejtuesi i mjetit të blllokur, shqiptari Sajmir Bajrami.
Ora 15: 54 Bllokohet avioni, dyshohet të jetë i ngarkuar me drogePolicia e shtetit gjatë një operacioni antidrogë bllokon në Divjakë një avion, i cili dyshohet të jetë i ngarkuar me lëndë narkotike. Nga informacionet paraprake mësohet se Policia ka ndaluar pilotin, i cili është një shtetas Italian dhe 2 persona të tjerë. Forcat speciale kanë rrethuar zonën dhe po kontrollohen të gjithë mjetet që dalin nga parku kombëtar i Divjakës ndërsa hyrja drejt parkut është e bllokuar. Ministria e Brendshme pritet pas pak në një konferencë për shtyp.
PD ngriti akuzat për trafik droge përmes infrastrukturës ushtarake
Prej ditësh Partia Demokratike ka nisur një seri akuzash për Forcat e Armatosura në lidhje me trafikun e drogës. Fillimisht ata ngritën disa pyetje për Ministren dhe Kryeministrin, më pas e ashpërsuan gjuhën për të arritur te dita e djeshme ku në mënyrë konkrete thanë se nga aeroporti i Gjadrit dhe Divjakës është ngritur avion ushtarak me lëndë narkotike. Burime nga kjo parti bënë me dije se selia blu disponon një letër të shërbimit sekret shqiptar, që duket se konfirmon ekzistencën e dyshimeve mbi përdorimin e strukturave të ushtrisë për trafikun e drogës.
Mbi këtë letër të Shërbimit Informativ Shtetëror duket të jetë bazuar denoncimi publik i bërë nga drejtues dhe deputetë të PD-së, të cilët akuzojnë ushtrinë shqiptare për përfshirje në trafikun e lëndëve narkotike. Sipas burimeve të besueshme, ka qenë një informacion i Shërbimit Informativ të Ushtrisë, sot Agjencia e Inteligjencës Ushtarake, prej nga ka nisur edhe verifikimi i të dhënave. Burimet konfirmojnë se bëhet fjalë për informacione të mbledhura nga policia kriminale e Policisë Ushtarake dhe më pas të përpunuara brenda strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes.