Referendumi në Egjipt, vijon numërimi i votave
Në Egjipt ka nisur procesi i numërimit, pasi një ditë më parë u zhvillua referendumi për një kushtetutë të re.Presidenti Mohammed Morsi dhe Vëllazëria Myslimane e ka miratuar draftin në fjalë, por krtitikët thonë se ai favorizon islamin.Gjatë procesit të votimit janë regjistruar disa incidente, por jo e njëjta situatë me zgjedhjet e kaluara, të cilat u shoqëruan nga akte të shumta dhune.Sondazhet e para sugjerojnë se populli ka mbështetur draftin në fjalë. Një zyrtar i Vëllazërisë Myslimane tha për agjencinë e lajmeve Reuters se egjiptianët kishin votuar në favor të kushtetutës së re.Rezultatet zyrtare priten pas të shtunës së ardhshme, kur pritet të mbahet dhe raundi i dytë i votimit. Në votimin e djeshëm u angazhuan 250 mijë forca sigurie.Por për fatet e këtij referendumi, mund të vendosë vota e grupimit ultra-islamik të salafistëve. Sipas ekspertëve, ndërsa vota e mbështetësve të mazhorancës, barazpeshohet deri diku me atë të opozitës së moderuar dhe pakicës së krishterë, salafistët mund të votojnë kundër, pasi në të shkuarën, ata janë shprehur se mund të mbështesin vetëm një projekt për të vendosur zyrtarisht ligjin fetar të sheriatit si ligjin mbizotërues në vend.