Presidenti Hollande viziton SHBA, takimi i parë në shtëpinë e Thomas Jefferson
Presidenti amerikan Barak Obama pret sonte presidentin francez François Hollande në Uashington, në ditën e dytë të vizitës shtetërore që zoti Hollande po bën në Shtetet e Bashkuara. Presidentit francez do t'i rezervohet një pritje tradicionale në Lëndinën Jugore të Shtëpisë së Bardhë, para se dy presidentët të zhvillojnë bisedime.Ata do të diskutojnë mbi Iranin, Sirinë, përpjekjet kundër terrorizmit në Afrikë, tregtinë dhe ndryshimin e klimës. Kjo është vizita e parë shtetërore e një presidenti francez që nga viti 1996. Dje, ata vizituan Monticellon, vendbanimin e presidentit të tretë amerikan, Thomas Jefferson, e cila ka një kuptim të veçantë për dy vendet.Dje, Presidenti Barak Obama i uroi mirësjeardhjen presidentit francez François Hollande në bazën ajrore Andrews në Maryland, përpara darkës shtetërore që do të kenë sonte në Shtëpinë e Bardhë.Dy presidentët shkuan në Virxhinia për të vizituar shtëpinë e Thomas Jeffersonit, presidentit të tretë të Shteteve të Bashkuara.Jeffersoni e quante rezidencën e tij "Monticello" dhe, ndonëse arsyeja se përse mbante këtë emër mbetet një mister, ky vend dhe historia e Thomas Jeffersonit janë të rëndësishme si për Francën edhe për Shtetet e Bashkuara."Mendova se kjo ishte një mënyrë e përshtatshme për të filluar një vizitë shtetërore, sepse ajo simbolizon historinë e jashtëzakonshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Francës."Në një konferencë shtypi në Monticello, zoti Hollande foli për historinë dhe për miqësinë."Kjo lidhje na bashkon përmes Jeffersonit. Kjo lidhje i ka qëndruar kohës, sepse Jeffersoni përfaqëson vlera të tilla si liria, dinjiteti njerëzor, të drejtat. Janë vlera për të cilat ne Shtetet e Bashkuara dhe Franca vazhdojmë të luftojmë në të gjithë botën," tha zoti Hollande.Lidhjet mes Shteteve të Bashkuara dhe Francës i kanë rrënjët tek themeluesit e Amerikës, madje edhe më më herët, te lufta revolucionare amerikane kundër Britanisë, e cila u mbështet nga Franca."Thomas Jeffersoni është frankofili më i famshëm këtu në SHBA. Ai ka thënë se në qoftë se nuk do të mund të jetonte në Shtetet e Bashkuara, do të kishte zgjedhur Francën."Leslie Bowman është presidente e Fondacionit Thomas Jefferson, një organizatë jo-fitimprurëse që ka në pronësi dhe administron Monticellon që nga viti 1923. Ajo thotë se afërsia e Jeffersonit me Francën e ka zanafillën në kohën kur ai ishte ambasador i SHBA në Paris."Kjo është një mbështetje për ne nga presidenti Obama, sepse ai mund t'i kishte treguar shumë gjëra presidentit Hollande, por preferroi ta sillte atë në Monticello."Zonja Bowman thotë se për të kuptuar me të vërtetë Jeffersonin, njeriu duhet të bëjë një vizitë në Monticello. Qoftë edhe pa një eskortë presidenciale