Qindra sirianë lënë Homsin, në Gjenevë raundi i dytë i bisedimeve

Rreth 300 persona të tjerë janë nxjerrë nga qyteti sirian i Homsit, nën rrethim prej 18 muajsh. Evakuimet e fundit, ashtu si dhe ato para tyre, ishin pasojë e shtrirjes së armëpushimit treditor në pjesën e vjetër të qytetit.Valën e fundit të largimeve, Gjysmë Hëna e Kuqe siriane e konfirmoi nëpërmjet rrjetit social Twitter. Me qindra civilë u lejuan të shpërngulen nga Homsi këtë fundjavë, pasi guvernatori lokal pranoi armëpushimin e negociuar nga Kombet e Bashkuara.Ndërkohë përfaqësues të qeverisë siriane dhe opozitës që kërkon përmbysjen e Presidentit Bashar al-Assad ndodhen në Gjenevë për një raund të dytë bisedimesh paqeje.I dërguari i Kombeve të Bashkuara dhe Lidhjes Arabe, Lakhdar Brahimi mbajti takime veç e veç me të dyja palët, në rolin e tij si ndërmjetës.Bisedimet pasojnë një raund fillestar të muajit të kaluar që përfundoi pa ndonjë sukses për t’u dalluar, por që zotio Brahimi e cilësoi një “fillim modest”, që përbën bazë për arritje të mëtejshme.Ndryshime madhore vazhdojnë të ekzistojnë që nga ngritja e një qeverie të mundshme tranzicioni e deri tek qasja e ndihmës humanitare në zonat e rrethuara.Konflikti civil në Siri i ka marrë jetën rreth 100 mijë personave që kur ka nisur në vitin 2011. Gjithashtu, 9.5 milionë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre duke krijuar një krizë të madhe humanitare në vendet fqinje.