Bisedimet e paqes për Sirinë, Brahimi realist: Nuk pres arritje thelbësore
Ndërkohë që bisedimet e paqes mbi Sirinë po vazhdojnë, i dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Lakhdar Brahimi, i cili po ndërmjetëson negociatat, thotë se ai nuk pret ndonjë arritje thelbësore në raundin e parë të bisedimeve.Brahimi nuk ishte i rezervuar kur u pyet se çfarë shpresonte të arrihej nga raundi i parë i bisedimeve të paqes mbi Sirinë."Të them të drejtën, unë nuk pres ndonjë arritje thelbësore në këtë raund bisedimesh. Unë jam shumë i kënaqur që ne ende jemi duke biseduar dhe se me ngadalësi ka filluar të shkrihet akulli. Të premten do të kemi një pushim nga bisedimet dhe do të diskutojmë mbi temat që do të trajtohen në raundin e ardhshëm të bisedimeve".Brahimi tha se shpresonte se sesioni i dytë i bisedimeve do të jetë më i organizuar dhe më produktiv se sesioni i parë. Por, ai shtoi se nuk ishte i zhgënjyer nga mungesa e përparimit për shkak se ai nuk kishte pritur ndonjë rezultat që në raundin e parë.Megjithatë, ai vuri në dukje faktin se përfaqësues të qeverisë siriane dhe opozitës janë duke folur me njëri-tjetrin dhe askush nuk ka braktisur bisedimet, dhe sipas tij kjo në vetvete është një arritje. Më shumë se 100 mijë njerëz janë vrarë dhe 9 milionë të tjerë janë zhvendosur që nga fillimi i luftës civile në Siri gati tre vjet më parë. Qeveria siriane dhe rebelët duhet të tejkalojnë urrejtjet e shumta që kanë grumbulluar ndaj njëri tjetrit para se të mund të arrijnë një marrëveshje politike për t'i dhënë fund luftës.Të dy palët kanë dallime të mëdha në lidhje me krijimin e një qeverie të ardhshme kalimtare për Sirinë. Opozita nuk do që presidenti Bashar al - Assad të jetë pjesë e saj, ndërsa qeveria thotë se ai duhet të mbetet në pushtet.