Guvernatori i Nju Xhersit Chris Christie kërkon ndjesë

Guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie, shkarkoi këshilltaren e tij, e cila orkestroi bllokimin e trafikut në dy korsi të urës “George Washington”, shtatorin e vitit të kaluar, për hakmarrje politike.Christie, që shihej si kandidati i mundshëm i republikanëve në zgjedhjet presidenciale të 2016-s, kërkoi ndjesë për skandalin që, siç tha, e kishte “poshtëruar”.“Ndihem i fyer dhe thellësisht i prekur, kur mësova se isha keqinformuar nga pjesëtarët e stafit tim, por kjo sjellje krejtësisht e gabuar ishte bërë pa dijeninë time. Kjo sjellje, në asnjë mënyrë nuk më përfaqëson mua apo administratën time, dhe njerëzit do të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre”, tha Christie.E gjitha ishte bërë për të ndëshkuar bashkiakun demokrat, i cili nuk kishte përkrahur rizgjedhjen e guvernatorit të Nju Xhersit. Christie mohoi të kishte dijeni për skandalin, duke thënë se ishte keqinformuar.Në email-et, që u bënë publike nga media amerikane, këshilltarja e Christie-t, Bridget Anne Kelly, shkruante më 13 gusht: “Ka ardhur koha për disa probleme me trafikun në Fort Lee”.“Mesazhi u mor, - i përgjigjej David Wildstein, të cilin guvernatori e kishte caktuar në krye të Autoritetit Portual të Nju Jorkut dhe Nju Xhersit, i cili kontrollonte edhe urën “George Washington”.Pas këtij shkëmbimi elektronik, më 9 shtator, 2 nga 3 korsitë e urës, që të çon në Nju Jork, u mbyllën për disa ditë.Guvernatori Chris Christie nuk është i lidhur drejtpërdrejt me emailet apo sms e dërguara por kundërshtarët e tij politikë mendojnë se zyra që ai përfaqëson i ka kaluar caqet.