Afrikano-jugorët kujtojnë takimet me Mandelën
Pas njoftimit për vdekjen e Mandelës, radiot në Afrikën e Jugut kanë hapur linjat e komunikimit që dëgjuesit të telefonojnë për të shprehur mendime e kujtime nga Mandela. Ata që e kanë takuar personalisht thonë se ai ishte një individ që gjithmonë gjente kohë për t’u angazhuar me njerëzit.Në 1990, Karl Soderbergh sapo kishte mbaruar studimet juridike dhe punonte në një organizatë të përqëndruar tek mbrojtja e të drejtave të njeriut.“Kishim privilegjin të ndihmonim në organizimin e vizitës së tij në Uashington. Me këtë rast, unë isha në stadiumin Robert Kennedy të Uashingtonit, kur ai arriti në qytet. Në atë kohë isha shumë i ri, por ai kujtim nuk do të më shlyhet gjithë jetën” ka theksuar ai.Soderbergh, i cili tani jeton në Suedi, ishte në Afrikën e Jugut për një konferencë ligjore ditët e fundit, kur dëgjoi lajmin për vdekjen e Mandelës. Ai vendosi të ndalet tek selia e qeverisë jugafrikane në Pretoria për të nënshkruar librin e ngushëllimeve para se të kthehej në Suedi. Ai kujton momentin kur e takoi Mandelën.“Ajo që më bëri përshtypje në atë kohë dhe që nuk e kam harruar ishte fakti që ai ishte shumë i përqëndruar tek çdo person që takonte. Ai ndalej, shpenzonte kohë me secilin prej nesh. Është diçka që e respektoj shumë, pasi ai ishte një individ që kishte takuar mijëra njerëz dhe ai takim do të më mbetet gjithë jetën në kujtesë” ka shtuar.Që nga e enjtja, radioja 702 në Afrikën e Jugut ka marrë qindra telefonata me kujtime e momente të veçanta, jo vetëm nga persona publikë, por edhe nga jugafrikanë të thjeshtë. Për shumë prej tyre, takimi me Mandelën ishte ndër momentet më të spikatura të jetës.Afrikano-jugorët kudo që janë do të luten dhe meditojnë sot, duke kujtuar Mandelën. Një turmë e madhe pritet të mblidhet të marten për shërbesën publike përkujtimore në stadiumin FNB të Sovetos.