Takim diplomatik, Kerry: Përmirësimi i raporteve, sfidë; Lavrov: Duhet të bashkëpunojmë
Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha në fillim të takimit me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov se bisedimet janë më të rëndësishme se sa “momentet e mosmarrëveshjeve” mes të dy vendeve.Duke folur të premten në Departamentit e Shtetit, zoti Kerry tha se marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë karakterizohen nga interesa të përbashkëta dhe herë pas here “nga përplasje dhe interesa të kundërta” dhe jo vetëm për rastin e punonjësit të agjencive amerikane të zbulimit.“Nuk është fshehtësi se ne kemi pasur disa momente sfiduese dhe qartas, jo vetëm lidhur me rastin Snowden. Ne do të diskutojmë për këto dallime. Por, ky takim mbetet i rëndësishëm dhe jashtë rënieve e ngritjeve dhe mbi momentet e mospajtimeve. Për ne është me rëndësi që të gjejmë mënyra për të bërë progres në mbrojtjen raketore dhe në çështjet e tjera strategjike, përfshirë Afganistanin, Iranin, Korenë Veriore dhe Sirinë”, tha John Kerry.Sekretari i Shtetit tha se zyrtarët amerikanë dhe rusë janë të “sinqertë” për fushat në të cilat kanë mosmarrëveshje, por ai theksoi se është e rëndësishme që të dy vendet të arrijnë përparim përsa i përket mbrojtjes nga raketat dhe çështjeve të tjera strategjike si Afganistanin, Iranin, Korenë e Veriut dhe Sirinë.Zoti Lavrov tha se konflikti në Siri është në listën e përparësive të të dy vendeve dhe se të dyja palët mbështesin përpjekjet për organizimin e një konference ndërkombëtare paqeje dhe gjetjen e një zgjidhjeje përmes negociatave për luftën atje.“Axhenda jonë është e gjërë dhe përfshinë, natyrisht, çështje ku ne kemi mospajtime. Ne do të vazhdojmë të diskutojmë për këto, në mënyrë të qetë. Mua më kujtohet takimi i parë me John Kerryn, në postin e tij të tashëm, kur ai tha se vendet tona kanë përgjegjësi speciale dhe se shumë varet nga ne. Prandaj, ne duhet të punojmë së bashku si të rritur. Kjo është ajo për të cilën ne përpiqemi dhe ne shpresojmë se kjo do të jetë reciproke”, tha Sergei Lavrov.Bisedimet zhvillohen ndërkohë që marrëdhëniet amerikano-ruse janë në një pikë të ulët, dy ditë pasi Presidenti Obama anuloi një takim të nivelit të lartë në Moskë me Presidentin rus Vladimir Putin.Shtetet e Bashkuara janë sidomos të revoltuara nga vendimi i Rusisë për t’i dhënë strehim të përkohshëm ish kontraktorit të zbulimit amerikan, Edward Snowden, duke mos pranuar ta deportojë, që ai të përballet me akuzat për spiunazh në Shtetet e Bashkuara.