Peleshi në Letoni: Mbështetje e fortë për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor në rrugën drejt BE-së
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, në ndalesën e dytë të turit të diplomacisë parlamentare në vendet baltike, vijoi me vizitën zyrtare në Letoni, ku u prit nga kryetarja e Parlamentit të Letonisë (Saeima), Daiga Mieriņa.
Gjatë takimit u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe, procesin e integrimit europian të Shqipërisë, sigurinë europiane dhe euroatlantike, mbështetjen për Ukrainën, si dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Peleshi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe të fuqishme të Letonisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke theksuar se integrimi europian mbetet një prioritet kombëtar që gëzon konsensus të gjerë politik e parlamentar, si dhe mbështetjen e mbi 90 për qind të qytetarëve shqiptarë.
Ai vlerësoi gjithashtu faktin se Presidenca letoneze e Bashkimit Europian në vitin 2028 do të përkojë me një moment të rëndësishëm për rrugëtimin europian të Shqipërisë.
Duke u ndalur te zhvillimet në rajon, kryetari i Kuvendit theksoi se stabiliteti dhe perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor përbëjnë një kontribut të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe paqen në Europë.
Ai nënvizoi se prania e NATO-s në rajon mbetet jetike për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë, ndërsa Shqipëria dhe Letonia, edhe pse vende të vogla, japin një kontribut të rëndësishëm si aleatë të besueshëm në Aleancë.
Nga ana e saj, Kryetarja e Parlamentit të Letonisë, Daiga Mieriņa, rikonfirmoi mbështetjen e vendosur të vendit të saj për zgjerimin e Bashkimit Europian, duke e cilësuar atë një objektiv strategjik të BE-së në kushtet e sfidave të sotme gjeopolitike.
Ajo theksoi se Letonia do të vazhdojë të mbështesë anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë dhe integrimin europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kryetarja Mieriņa vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit mes vendeve tona në përballjen me fushatat dezinformuese dhe kërcënimet hibride. Ajo vlerësoi kontributin e Shqipërisë dhe riafirmoi mbështetjen e Letonisë për Ukrainën dhe theksoi nevojën për ruajtjen e unitetit euroatlantik përballë sfidave të sigurisë.
Dy homologët vlerësuan gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve në kuadër të NATO-s. Mieriņa shprehu vlerësimin për kontributin e Shqipërisë në Aleancë dhe veçanërisht për praninë e forcave shqiptare në Letoni, në kuadër të forcimit të krahut lindor të NATO-s.
Gjatë takimit u diskutua edhe për zgjerimin e bashkëpunimit parlamentar dhe dypalësh në fusha me interes të përbashkët, si arsimi, turizmi, ekonomia dhe kontaktet mes qytetarëve, me synimin për t’i dhënë një dimension edhe më konkret marrëdhënieve shumë të mira mes Shqipërisë dhe Letonisë.
Në Saeima, Peleshi zhvilloi gjithashtu takime me Kryetaren e Komisionit për Çështjet e Jashtme, Ināra Mūrniece, dhe Kryetarin e Komisionit për Çështjet e Bashkimit Europian, Edmunds Cepurītis.
Në fokus të diskutimeve ishin aspektet politike dhe teknike të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, mbështetja parlamentare dhe publike në shtetet anëtare, intensifikimi i diplomacisë parlamentare, si dhe roli i Letonisë si një prej mbështetëseve më aktive të politikës së zgjerimit të BE-së.
Vizita në Letoni konfirmoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe mbështetjen e palëkundur të Rigës për integrimin europian të Shqipërisë. Ajo dëshmoi gjithashtu angazhimin e përbashkët për forcimin e partneritetit në NATO, mbështetjen për Ukrainën dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
