Berisha: Procesi gjyqësor ndaj Metës, farsë e turpshme

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka dalë sërish këtë të martë nga ambientet e paraburgimit, pasi ka marrë leje për disa orë për të pritur ngushëllimet për babanë e tij të ndjerë, pranë një hoteli në kryeqytet.

Meta shoqërohej nga efektivë të Policisë së Burgjeve, ndërsa jashtë ambienteve ku po zhvilloheshin homazhet u prit nga mbështetës, bashkëpunëtorë dhe figura politike.

Në ngushëllime mori pjesë edhe kryetari i Partisë Demokratike dhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili komentoi edhe procesin gjyqësor ndaj Metës.

Berisha e cilësoi procesin ndaj ish-Presidentit të Republikës si “një farsë të turpshme”, duke pretenduar se akuzat ndaj tij janë të pabazuara dhe me motive politike.

“Është një farsë e turpshme, e mbajtur gjallë me falsitete dhe si zbatim i porosisë së Edi Ramës”, deklaroi Berisha para mediave.

Ai u bëri thirrje mediave që të hetojnë dokumentacionin e çështjes, duke pretenduar se akuzat ndaj Metës “nuk kanë substancë”.

“Edhe njëherë u them, asnjëra prej akuzave nuk ka absolutisht substancë”, u shpreh Berisha.

Berisha gjithashtu shtoi se, “Meta është një i burgosur politik”.